Ishulli italian i Sicilisë është përfshirë në një zjarr të madh si pasojë e temperaturave rekorde. Gjatë së shtunës, qindra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe një aeroport i ishullit është mbyllur. Tymi ka vështirësuar gjendjen në Katania, qyteti i goditur më së rëndi nga zjarret.
Së paku 150 persona janë ngujuar në dy plazhe të Katanias. Me qëllim që t’u shpëtojnë flakëve, ata kanë shkuar në plazhe dhe janë shpëtuar nga rojat bregdetare. Në 24 orët e fundit, zjarrfikësit kanë bërë më shumë se 250 intervenime në ishull dhe operacioni për shuarjen e zjarreve ka vazhduar me ndihmën e helikopterëve dhe aeroplanëve. Zjarri ka përfshirë edhe një pjesë të qytetit të Palermos.
Që prej së premtes, temperaturat në Itali kanë arritur deri në 40 gradë celsius. Situatë e rëndë është edhe në dy shtetet e tjera në Evropë, Turqi dhe Greqi. Në provincën turistike të Antalias kanë vdekur katër persona, ndërkaq janë djegur më shumë se 300 kilometra territor.
Ndërkohë, Greqia gjatë së premtes ka këshilluar banorët që të shmangin daljet e panevojshme. Sipas meteorologëve, të hënën dhe të martën temperaturat mund të arrijnë deri në 44 gradë celsius.