Lajme
“Zhvillimi ekonomik po na i merr ushtarët”: Arsyetimi i çuditshëm i ministrit të Mbrojtjes për largimet nga FSK-ja
Demokracia
13:48 | 13 Janar 2024

Share:

Jo shumë kohë më parë, një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës kishte vendosur të largohej nga ky institucion për arsye financiare. Nacionale kishte siguruar kërkesën e tij për demobilizim, derisa nëpër media, ishte raportuar edhe për shumë raste të tilla. Tash, me liberalizimin e vizave, frika për largimin e të rinjve nga vendi, duke përfshirë edhe ata që i shërbejnë vendit, veçse është shtuar. Megjithatë, këtë nuk e ka konsideruar problematike ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e madje largimet ai po i arsyeton me “zhvillim ekonomik” të Kosovës.

Shpesh është raportuar për ankesa të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në lidhje me pagat që marrin.

Anise kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte deklaruar që ushtarët e thjeshtë e oficerët e rinjë kanë një pagë “30 për qind” më të lartë se ajo paraprake, situate duket të jetë ndryshe.

“…me insistimin e Armendit, ushtarët e thjeshtë dhe oficerët e rinj të FSK-së, tashmë gëzojnë një rrogë dinjitoze, mbi 30% më të lartë se pagat e tyre paraprake.” – ishte shprehur ai pas largimit të ministrit paraprak të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Zhvillimi ekonomik “po i merr” ushtarët?

Nuk ka shqetësimë pas heqjes së vizave, sipas ministrit aktual, Ejup Maqedoncit, sidoqoftë, ai ka konfirmuar se ka pasur largime.

Por këto largime, ai i ka lidhur me atë që Qeveria e paraqet si “zhvillim ekonomik”, pra sipas tij, ushtarët e FSK-së po e lënë punën për shkak të hapjes së vendeve të reja të punës në vendin tonë.

“Ne kemi pasë normalisht, largime. Këto largime nuk janë vetëm në vendin tonë, janë trend global. Në vendin tonë arsyet e largimit janë mundësitë e reja që janë krijuar jashtë institucionit të FSK-së, më saktësisht për shkak të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të punës, dhe profesioneve të tjera atraktive që mund të jenë për pjesëtarët e FSK-së. Pra ato largime që kanë qenë, vijnë si rezultat i mundësive për të rinjtë që të zgjedhin ku e ndjejnë vetën mirë.” – ka thënë Maqedonci për “Tv Dukagjini”.

Mes tjerash, ministri deklaroi edhe:

“Nuk kemi pasë këto ditë ndonjë indikacion të largimit të pjesëtarëve për shkak të heqjes së vizave. Vlerësoj se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Koovës e dinë që janë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, janë të vetdijshëm për rolin e tyre për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Normal, është çështje individuale e secilit sim err vendim për karrieren, por edhe personalitetit të tij.”

Largimet e ushtarëve

Në fund të vitit të kaluar, Nacionale raportoi mbi kërkesën e një ushtari të FSK-së për demobilizim vullnetar. Ai kishte bërë me dije se po largohet për arsye financiare.

“Kërkoj të demobilizohem për arsye financiare, rroga të cilën e marr nuk mi ka mbulu shpenzimet të cilat i kam pas obligim për me e mbajtë familjen, jom i detyrum me gjet të ardhura më shumë.” – thuhej në kërkesë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes vetëm gjatë vitit 2021 nga FSK-ja janë larguar mbi 50 pjesëtarë.

Siç kishte raportuar Nacionale, edhe Edon Morina, tetar specialist, ishte larguar nga kjo forcë. Ai si arsye, kishte dhënë “padrejtësi të vazhdueshme” që ishin bërë ndaj pjesëtarëve.

“Unë tetar specialist, Edon Morina, bëjë kërkesë për demobilizim nga FSK, pas 12 viteve shërbim. Arsyeja e kërkesës janë padrejtësitë e vazhdueshme në të gjitha sferat ndaj pjesëtarëve, duke me përfshirë mua: si në gradim, në trajtime jashtë dhe brenda vendit, mos lejim të marrë pjesë në gara brenda FSK-së dhe jashtë deri në këtë vit.” – shkruante Morina në kërkesën për demobilizim, të cilën ia kishte drejtuar ministrisë.

Të ngjashme