COVID-19KosovaSot:8Të gjitha:272,075|Bota 623,014,271
Lajme
Zhvillimet në sektorin e sigurisë – reformë apo “grusht-shtet“ nga brenda?
Demokracia
20:31 | 07 Gusht 2022

Share:

Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje për të reformuar sektorin e sigurisë dhe natyrisht që në këtë proces shfaqet edhe mënyra se si qeveria e sheh shtetin dhe institucionet e tij. Mendësia qeverisëse bazohet mbi ideologjinë por edhe varet nga konteksti institucional e kushtetues të një vendi. Përkundër qëllimeve e ideve që mund të ketë një qeveri, qeverisja është e limituar edhe nga trashëgimia e veprimeve e vendimeve historike të një vendi.

Shkruan: Robert Muharremi dhe Bernard Nikaj

Mendësia qeverisëse apo kultura institucionale e Republikës se Kosovës është ndërtuar në disa faza dhe është ndikuar kryesisht nga faktorët e jashtëm. Të ndërtuara mbi një sistem vlerash të periudhës komuniste, institucionet e Kosovës kanë kaluar një periudhë të theksuar duke ndërtuar institucione paralele të shtyra nga aparteidi i shtetit serb gjatë viteve te 90ta. Në periudhën e pasluftës, u ndërtuan institucione të përkohshme që vepronin paralel dhe në kuadër të një sistemi ndërkombëtar të administruar nga UNMIK-u.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka shënuar fillimin e një faze të re në ndërtimin e institucioneve shtetërore. Duke u bazuar në kushtetutën e vendit e duke e respektuar atë, qeveri pas qeverie ka ndërtuar institucionet e shtetit duke u nisur nga parimi i kushtetutshmërisë. Për këtë arsye dhe nga mungesa e përvojës shoqërore të qeverisjes, vit pas viti, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar president të vendit, ka rrëzuar qeveri e ka kthyer mbrapsht shumë vendime të marra nga qeveri të ndryshme.

Qeveria aktuale, për herë të parë, është duke provuar të sfidojë rendin kushtetues të vendit në mënyrë sistematike. Mirëpo, këtë nuk po e bën ashtu siç duhet bërë, duke propozuar e ndryshuar kushtetutën, por po zgjedh rrugë dytësore përmes ligjeve, vendimeve dhe masave tjera. Hap pas hapi qeveria po kthen paralelizmin në mendësinë qeverisëse dhe kulturën institucionale të vendit.

Kjo mund të shihet që nga sjelljet ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë me dashje nuk po zbatohen nga ministrat kur nuk janë në interes të qeverisë. Reforma të caktuara, si ajo e themelimit të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, shtyhen para edhe pse ekspertë vendorë e ndërkombëtarë vlerësojnë që nuk janë në përputhje me kushtetutën e vendit. Nëpër ministri nuk emërohen sekretarët e përgjithshëm sipas ligjit por caktohen ushtruesit e detyrës të quajtur „zëvendësues“, edhe pse një kategori e tillë nuk ekziston sipas ligjit për sekretarët e përgjithshëm, duke sfiduar kështu jo vetëm ligjin, praktiken institucionale por edhe gjuhen shqipe.

Për të ilustruar këtë qasje të re, në këtë artikull do të analizojmë pjesë të pakos së reformave të propozuara në sektorin e sigurisë që prekin Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), sektor ky me rëndësi qenësore për shtetin tonë, si dhe për aspiratat tona për integrim në NATO dhe mekanizmat tjerë rajonal e ndërkombëtarë të sigurisë.

Gjatë një fjalimi në Universitetin Amerikan në Kosovë me datë 12 korrik 2022, Ministri Mehaj ndër të tjera njoftoi pjesëmarrësit për idenë e tij që Kosova të ketë një forcë ushtarake vullnetare prej rreth 20.000 vetash nën komandën e Ministrit të Mbrojtjes dhe jashtë strukturave të FSK-së. Ministri e arsyetoi këtë nismë me argumentin se Pakoja e Ahtisaarit e pamundëson që FSK të rris numrin e ushtarakëve për shkak të kufizimeve që vendos në numër dhe armatim të FSK-së. Argumenti i Ministrit të Mbrojtjes hasi në shqetësime sepse nuk qëndron për dy arsye kryesore. Në rend të parë, Pakoja e Ahtisaarit nuk është më në fuqi. Pakoja e Ahtisaarit, ose Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, siç quhet zyrtarisht, dhe e cila ishte pjesë përbërëse e Kushtetutës së Kosovës, u shfuqizua me datë 07.10.2012 përmes ndryshimit të Kushtetutës me ç’rast u shfuqizuan dispozitat e Pakos së Ahtisaarit. Një muaj më parë, konkretisht me datë 10.09.2012, Zyra Ndërkombëtare Civile, e përbërë nga shtetet kryesore që e kanë njohur Kosovën, dhe e cila mbikëqyrte zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, deklaroi se Kosova kishte përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit dhe që prej kësaj dite dokumenti i vetëm dhe më i lartë juridik i Republikës së Kosovës është Kushtetuta e Republikës së Kosovë. Shfuqizimi i Pakos së Ahtisaarit hapi edhe rrugën për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës përmes ndryshimeve të legjislacionit në vitin 2019. Kjo do të thot se nuk ka asnjë kufizim më sa i përket numrit dhe armatimit të FSK dhe asnjë pengesë kushtetuese dhe ligjore për rritjen e numrit të pjesëtarëve të FSK. Me këtë, preteksti i Ministrit të Mbrojtjes, përse duhet të krijohet një forcë e re ushtarake jashtë FSK-së nuk qëndron. Kjo do të duhej të ishte e njohur për Ministrin e Mbrojtjes i cili ёshtё autoriteti më i lartë i drejtimit politik të ministrisë dhe i cili sipas ligjit ushtron kontroll dhe mbikëqyrje civile demokratike dhe administrim të përgjithshëm mbi FSK- në.

Shqetësimi i dytë është se me një forcë të re ushtarake jashtë strukturës së FSK dhe nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes do të krijohet një strukturë paralele ushtarake e cila është në kundërshtim me Kushtetutën. Sipas Kushtetutës, FSK është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës. Si forcë vullnetare, politikisht e paanshme dhe profesionale ajo mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial dhe interesat e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e njeh vetëm FSK si forcë ushtarake të armatosur. Krijimi i një force tjetër ushtarake paralel me FSK-në dhe jashtë zinxhirit komandues të FSK paraqet një shkelje të rëndë të përcaktimit kushtetues që Kosova të ketë një forcë ushtarake. Përveç kësaj, një forcë e tillë e re do të dobësonte FSK-në pasi që do të kërkonte mjete buxhetore të cilat do të zvogëlonin financimin e FSK. Pse atëherë kjo forcë e re ushtarake dhe jo të investohet më shumë në FSK? Pse nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes e jo si strukturë e FSK-së? Dhe pse ende po argumenton Ministri i Mbrojtjes me Pako të Ahtisaarit e cila qe dhjetë vite nuk prodhon asnjë fuqi juridike në Kosovë? Qëllimi i vetëm duket me qenë krijimi i një force të re e cila nuk është në kuadër të zinxhirit komandues të FSK dhe e cila e fuqizon Ministrin e Mbrojtjes dhe me këtë Kryeministrin duke ju dhënë kompetenca në sektorin e ushtrisë që nuk u takojnë me Kushtetutë.

Përveç idesë për një forcë tjetër ushtarake, Qeveria ka përgatitur projektligjin për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri. Sipas propozimit të Qeverisë, kjo agjenci do të mbledhë informacione për sistemet mbrojtëse dhe ushtritë e vendeve tjera si dhe për presionet e jashtme që mund të ndikojnë ose rrezikojnë sigurinë e vendit. Agjencia po ashtu do të mbledhë informacione për aktivitetet brenda Kosovës të personave që kërcënojnë aftësitë mbrojtëse të vendit. Përveç kësaj, agjencia do të kryen verifikimin e pastërtisë, përkatësisht të sigurisë për personelin e FSK, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të vet agjencisë si dhe të gjithë personave që kanë marrëdhënie me këto institucione. Agjencia nuk do të jetë pjesë e strukturës së FSK por agjenci e pavarur në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes e cila i raporton Ministrit të Mbrojtjes. Komandanti i FSK vetëm mund të rekomandojë emrin e drejtorit të agjencisë, mirëpo propozimin e bën Ministri i Mbrojtjes te Kryeministrit, ndërsa emërimin bën Presidenti në bazë të propozimit të Kryeministrit. Agjencia përbëhet nga pjesëtarë të FSK dhe nga zyrtarë civil, ndërsa strukturën organizative të agjencisë e përcakton Ministri i Mbrojtjes.

Këtu ngritën disa shqetësime. Së pari, FSK e ka shërbimin inteligjent ushtarak si pjesë përbërëse të strukturës së saj dhe nën komandën e FSK. Përse duhet atëherë të krijohet një shërbim tjetër i inteligjencës ushtarake jashtë FSK-së por nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes? Në fakt, sipas propozimit të Qeverisë, agjencia e drejtuar nga Ministria e Mbrojtjes do të mbikëqyrë funksionin e inteligjencës së FSK. Kjo nënkupton që shërbimi inteligjent ushtarak i FSK vendoset nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo po ashtu nënkupton që do të ketë shërbimin inteligjent ushtarak të FSK si dhe përveç saj edhe agjencinë e Ministrisë së Mbrojtjes si shërbim tjetër të inteligjencës. A ka Kosova kapacitete njerëzore dhe financiare për dy shërbime të inteligjencës ushtarake, apo është synimi i vërtetë që me kohë të shthuret shërbimi i inteligjencës ushtarake të FSK dhe me këtë FSK të varet nga agjencia dhe Ministria e Mbrojtjes kur ka nevojë për inteligjencë ushtarake? E vërtet është që agjencia do të udhëhiqet nga një person i cili ka gradën gjeneral dhe shërben apo ka shërbyer në FSK. Megjithatë, ky person emërohet nga Presidenti me propozim të Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes dhe emërime të tilla janë kryekëput sipas preferencave politike të pushtetit dhe jo detyrimisht sipas meritës profesionale. Po ashtu, drejtori i agjencisë, edhe pse me gradë gjeneral, nuk i raporton komandës së FSK por Ministrit të Mbrojtjes.

Së dyti, agjencia e propozuar ndërhyn në mënyrë kundër kushtetuese në kompetencat e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). Mbledhja e informacioneve për sistemet mbrojtëse dhe ushtarake të vendeve tjera si dhe mbledhja e informacioneve për nevojat e FSK-së kur ajo dërgohet jashtë vendit janë kompetenca legjitime të një shërbimi të inteligjencës ushtarake. Mirëpo propozimi i Qeverisë e tejkalon këtë sepse agjencia do të merret edhe me rreziqet e jashtme dhe të brendshme ndaj interesave të Republikës së Kosovës. Dhe mu në këtë pikë agjencia ndërhyn në kompetencat e AKI, e cila sipas Kushtetutës zbulon, heton dhe mbikëqyr kërcënimet ndaj sigurisë në Republikën e Kosovës. Ligji për AKI e konkretizon mandatin kushtetues të AKI duke theksuar se AKI mbledhë informacione në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës, ku kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës konsiderohet kërcënimi ndaj integritetit territorial, integritetit të institucioneve, rendit kushtetues, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe kërcënimet ndaj sigurisë globale në dëm të Kosovës. Deri sa FSK mund të ketë shërbimin e inteligjencës për nevojat ushtarake të FSK-së, ashtu siç është edhe inteligjenca e policisë, e doganës dhe ajo financiare për nevojat specifike të këtyre institucioneve, AKI sipas Kushtetutës është i vetmi institucion i inteligjencës që është përgjegjës për mbledhjen e informacioneve në lidhje me kërcënimet ndaj integritetit territorial, integritetit të institucioneve, rendit kushtetues, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe kërcënimet ndaj sigurisë globale në dëm të Kosovës. Agjencia e propozuar jo vetëm që ndërhyn në kompetencat e AKI, por ajo autorizohet të veprojë edhe jashtë Kosovës, gjë që nuk e ka të lejuar AKI. Në këtë pikë shtrohet pyetja përse AKI nuk autorizohet që të veprojë jashtë Kosovës, por duhet të krijohet një shërbim tjetër i inteligjencës. Nuk ka asnjë kufizim kushtetues që AKI të veprojë jashtë vendit. Për këtë nevojitet vetëm një ndryshim i thjeshtë i ligjit për AKI.

Së treti, verifikimi i pastërtisë, përkatësisht i sigurisë, në sektorin e sigurisë është një prej pikave më të ndjeshme sepse përmes këtij procesi përcaktohet se kush mund të ketë qasje në informacione të klasifikuara të shtetit. Kushdo që e kontrollin procesin e verifikimit ka mundësi të përcaktojë se kush është i përshtatshëm për shtetin dhe kush paraqet kërcënim për të. Për këtë arsye ky proces duhet të jetë i mbrojtur nga ndikimet politike dhe personale dhe të ushtrohet nga profesionistë të mirëfilltë. Duke i marrë këto parasysh, që në fillim të krijimit të sistemit për verifikimin e sigurisë është konsideruar e arsyeshme që AKI të kryejë këtë proces për të gjitha institucionet e shtetit, prapë duke marrë parasysh kapacitetet e kufizuara njerëzore dhe financiare që ka Kosova, por edhe për të siguruar që kemi një institucion që e zbaton këtë procedurë në mënyrë të paanshme për të gjitha institucionet e shtetit. Sipas propozimit të qeverisë, këtë proces do ta bëjë agjencia e Ministrisë së Mbrojtjes për personelin e FSK, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të vet agjencisë si dhe të gjithë personave që kanë marrëdhënie me këto institucione, e jo AKI siç është tani. Shtrohet pyetja përse duhet të krijohet një institucion tjetër për verifikimin e pastërtisë, përkatësisht sigurisë, kur veç është AKI me staf profesional dhe të trajnuar ndër vite? Çfarë kuptimi ka që Ministria e Mbrojtjes të ketë kuadrin e vet për verifikim të sigurisë paralel me atë të AKI? Kosova nuk është aq e madhe që ka nevojë për aq shumë institucione. A është me të vërtetë ndonjë vlerë e shtuar apo vetëm mundësi tjetër që Ministria e Mbrojtjes të merr kompetenca që i takojnë një institucioni tjetër të sigurisë?

Përkundër të gjitha shqetësimeve dhe pyetjeve të shtruara, shihet qartë përpjekja e Qeverisë për të koncentruar më shumë kompetenca në Ministrinë e Mbrojtjes duke dobësuar kështu FSK dhe AKI. Po ashtu, këto përpjekje janë ndërhyrje kryesisht kundër kushtetuese në kompetencat e FSK dhe AKI dhe krijojnë struktura paralele në sektorin e sigurisë me të vetmin përfundim që Ministria e Mbrojtjes dhe me këtë Kryeministrit të marrin më shumë fuqi mbi sektorin e sigurisë. Nuk ka asnjë pengesë kushtetuese apo ligjore që FSK dhe AKI të fuqizohen që të ushtrojnë kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore me më shumë efikasitet, por Qeveria e ka zgjedhur rrugën e krijimit të strukturave paralele dhe të dobësimit të FSK dhe AKI.

Ne këto rrethana, dyshimi i bazuar është që nuk bëhet fjalë për reformë të sinqertë por për një përpjekje për të dobësuar institucionet ekzistuese të sigurisë që Qeveria e ka vështirë t’i kontrollojë duke krijuara struktura paralele të sigurisë. Kjo e rrënon arkitekturën e sistemit të sigurisë së Kosovës, krijon përplasje kompetencash mes institucioneve të sigurisë, rrit pa nevojë shpenzimet publike, vë në pikëpyetje te partnerët tanë ndërkombëtare për seriozitetin tonë në fushën e sigurisë dhe në tërësi i dobëson kapacitetet mbrojtëse të Kosovës. Për më tepër, veprimet e tilla për krijimin e strukturave paralele dëmtojnë seriozisht partneritetin e krijuar me NATO dhe rrezikojnë përpjekjet e vendit tonë për anëtarësim në strukturat veri-atlantike. Kosova ka nevojë për një reformë të mirëfilltë të sektorit të sigurisë e jo për një “grusht-shtet” me institucione paralele brenda shtetit.

Dr. Robert Muharremi dhe Dr. Bernard Nikaj janë ligjërues ne Universitetin Amerikan ne Kosove (AUK).

Mendimet e shprehura ne ketë shkrim janë mendime personale të autorëve dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet e institucionit ku autorët punojnë.

Të ngjashme