Lajme
Zhvatja e buxhetit nga “Daja i Vetëvendosjes”| Zbulohet arsyeja pse po kërkohet shkarkimi i rektorit Sahiti
Demokracia
18:13 | 20 Tetor 2022

Share:

Qeveria Kurti po tenton të kap çdo institucion në Kosovë. Nëse je përkrahës i Vetëvendosjes mund të avancohesh, në të kundërtën mund të shkarkohesh edhe nga pozita. Sikurse një vendim për shkarkim të rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, i cili pritet të merret nesër. Në një dokument të siguruar nga mediat, thuhet se një nga çështjet kryesore që do të diskutohet është edhe “Problemet dhe jo transparenca në publikimin e shpenzimeve, në veçanti problemet me prokurimin publik”.

Përplot 19 organizata të shoqërisë civile kanë dalë me një komunikatë të përbashkët ku kundërshtojnë inicimin për shkarkimin e rektorit të UP-së, Naser Sahiti, duke thënë se kjo po bëhet me akuza të pabaza.

Sahiti është ftuar në një mbledhje të Këshillit Drejtues të UP-së ditën e nesërme, aty i është kërkuar që të jap sqarime për disa prej atyre që sipas tyre janë evidentuar si probleme të përsëritura ndër vite, dështime në menaxhim e mos-adresim të problemeve.

Ndër, çështjet kryesore që do të diskutohen është edhe “Problemet dhe jo transparenca në publikimin e shpenzimeve, në veçanti problemet me prokurimin publik; Siq është rasti i projektit të drenazhimit të fakultetit Filozofik, FSHMN, dhe Filologjik”.

 

Për çështjen e drenazhimit, Insajderi ka publikuar një hulumtim ku u zbulua se shefat e Universitetit të Prishtinës u futën në një marrëdhënie të dyshimtë me biznesmenin Halil Jahaj, daja i famshëm i Florent Ramqajt të Vetëvendosje.

Ish-sekretari Esat Kelmendi dhe shefi i tenderëve të UP-së Selman Qorri favorizuan kundërligjshëm anëtari biznesmen të grupit të Liburn Aliut, i cili po fuqizohet gjatë Qeverisë Kurti.

Në fillim të shkurti 2021, Universiteti publik i Prishtinës do të njoftonte se ka lidhur një kontratë për punë drenazhimi për objektet e disa fakulteteve. Vlera e përgjithshme e kontratës kornizë ishte mbi 1.7 milionë euro.

Por, shefat e Universitetit të Prishtinës lejuan që faturimi i kësaj kontrate të shkonte deri në mbi 1.9 milionë euro. Kjo u bë duke u arsyetuar në punët shtesë të kompanisë.

Mbi 200 mijë euro nga punët shtesë nuk e ngopën këtë kompani private. Disa muaj më vonë, në gusht të atij viti, Universitei i Prishtinës hapi edhe nje tender të ri.  Konkurroi vetëm firma e dajës së famshëm të Vetëvendosjës. Pra, iu paguan dy herë punët shtesë. Njëherë si pjesë të kontratës bazë e herën tjetër me kontratë të re. Afro 400 mijë euro llogaritet se iu zotuan kësaj kompanie jashtë vlerës fillestare të kontratës,

Kjo kontratë që është denoncuar edhe në Policinë e Kosovës, Insajderi zbulon se është lidhur mes Universitetit të Prishtinës, më saktë Zyrtarit të Prokurimit, Selman Qorri, Ish-Sekretarit, Esat Kelmendi dhe Rektorit, Naser Sahiti me firmën “Alfa.i”, pronë e Halil Jahaj. Në emër të kompanisë, njërën kontratë e ka nënshkruar Lulzim Jahja e tjetrën vet pronari, Halil Jahjaj.

“Daja i Vetëvendosjes”, kështu ishte përshkruar në facebook biznesmeni Halil Jahjaj. Emri i tij u përmend në aferën e ryshfetit prej 30 mijë eurosh, ku punonjës i kompanisë “Infratek”, zyrtarisht në pronësi të Florije Jahaj dëgjohej duke i kërkuar deri në 30 mijë euro ryshfet një kompanie tjetër vetëm për ta dërguar një e-mail në Ministrinë e Infrastrukturës së udhëhequr nga Liburn Aliu. Aliu, për këshilltar e ka nipin e Halil Jahjajt, Florent Ramqajn. Në këtë audio-incizim ishte përmendur edhe vet emri i Liburn Aliut.

Pas publikimit të Insajderit,  shefit të tenderëve në UP Selman Qorri, i ishte anuluar certifikata profesionale. Tenderi që u bë një nga arsyet për këtë vendim është edhe ai për biznesmenin Halil Jahja, i njohur si “Daja i Vetëvendosjes”.

Këtë vendim e ka marrë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik-KRPP, pas një kërkese që ka bërë sekretariati i UP-së. Komisioni i Prokurimit ka shqyrtuar të gjitha faktet e ngritura dhe më pas ka miratuar kërkesën.

Kërkesa e sekretarit, është parashtruar më arsyetimin se Qorri nuk ka respektuar dispozitat ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik për aktivitetin e prokurimit si: “Drenazhimi, Kanalizim, Ujësjellësi në Filologjik, FSHMN, LOT 1”, dhe “Shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë vendit për nevojat e UP-së”, tenderë.

Ndikimi i VV-së në UP, si po i ndihmon organizata “studentore” e Vetëvendosjes partisë

Studim Kritikë Veprim (SKV), organizata e lidhur me partinë në pushtet, Vetëvendosje, ka marrë kontrollin e Parlamentit Studentor. Nuk doli e para në zgjedhje, por ka përdorur një formë tjetër për të ardhur në pushtet.

Duke iu mundësuar që akoma pa e marrë mandatin të votojnë në senat, senatorët student nga SKV-ja e Reforma (organizatë tjetër studentore) një ulëse në senat si anëtar i Këshillit Drejtues ia siguruan militantit të Vetëvendosjes, Rifat Krasniqi.

“Sot, nga Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me shumicë votash u zgjodha si anëtar i Këshillit Drejtues që është organi më i lartë drejtues i institucionit kryesor të Arsimit të Lartë në Kosovë. Edhe pse asistentët përbëjnë 50% të stafit akademik të UP-së, kjo është  hera e parë që një asistent bëhet pjesë e këtij organi”, shkroi Krasniqi atëkohë në facebook.

Pra, në senat, çfarëdo vendimi që votohet 7 vota janë nga studentët senator, përkrahës të partisë në pushtet.

Sahiti sot para mediave: Thirrja e mbledhjes e jashtëligjshme, Nagavci ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjen e KD-së

Përpos që e quajti të jashtëligjshëm thirrjen e mbledhjes, Sahiti hedh dyshime për ndërhyrje direkte të ministres Arbërie Nagavci në vendimet brenda UP-së.

“Kjo mbledhje është caktu ne kundërshtim me statusin. Mbledhjet  thirren nga kryesuesi në bashkëpunim me rektorin. Kjo nuk ka ndodh nuk me kanë kontatku as dakordu mu. Prandaj si e till mbledhja është kundërligjore. Ata e kanë kërkuar mbajtjen e rendin e ditës që len me kuptu që mund të jetë edhe marrja e vendimit për shkarkimin e rektorit”, ka thënë Sahiti.

Ai thotë se që nga vera ka pasur një tentim të ministres Nagavci për të ndërhyrë në zgjedhjen e Këshillit Drejtues duke e ndërlidhur atë me menaxhmentin.

“Njerëzit kur donë me kry veprime të caktuara mund të trillojnë. Ne kemi pas shenja qysh në prononcimin e ministres Nagavci verës kur ajo ka provuar që këto zgjedhjet e këshillit drejtues që kanë ndodh ka tentuar me i ndërlidh sikur edhe menaxhmenti është pjesë e atyre zgjedhjeve kur botërisht dihet se kush për kë ka qenë i disponueshëm me votu. Kjo ka qenë me qëllim që kur të fillojnë punët në shtator t’I kenë votat e nevojshme për shkarkimin e menaxhemtit duke u thirrur në vlerësimin e përformancës. Nga kjo mund të nxjerrën përfundimet se sa është ministra e involvuar. Ne i kemi dërgu mesazh të qartë, nuk do lejojmë ndërhyrje dhe do të parandalojmë abuzime të ndryshme. Avancime e punësime të ndryshme I kemi bërë të qarta se nuk do të ketë” tha ai të enjten para mediave.

Tutje, ai tregon se ministrja e ka refuzuar të takohet më të pas disa kërkesave. Një takim mes tyre e kanë pasur në shtator ku dhe ministra ka kundërshtuar të flas për çështjet e plagjiaturës.

“Kemi pas kontakte, pasi jemi kthy nga pushimet I kam shkru dy tri here. Në kemi lënë takime por për shkak të agjendës së ministres nuk kanë ndodh. Kemi arrit me pas një takim në shtator. Ministrja nuk ka tregu ndonjë interesim për çështjen e plagjirizmit. Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë nëse ne kemi në hierarkinë më të lartë njerëz të cilët nuk e kanë pastruar vetë çështjen”, tha ai.

Sahiti tha se që në zgjedhjet e mbajtura në qershor për Këshillin Drejtues të UP-së është zgjedhur një kandidat, i cili ka plagjiaturë.

“Çështja e parë është me këshillin drejtues, si rezultat i atyre zgjedhjeve të Këshillit Drejtues është zgjidhur një kandidat që ka plagjiatë në punimin e tij të doktoratës. Ka qenë edhe një prononcim i ministres për këtë çështje ku ajo ka thënë se do të kërkoj nga Këshilli Drejtues qe këtë rast ta denoncoj në Këshill të Etikës, përkundër atij zotimi anëtarët nuk e kanë denoncuar rastin në Këshill të Etikës me arsyen se nuk kemi fakte”.

Rektori ka shtuar se UP-ja nuk ka pasur kurrë një përbërje të Këshillit Drejtues siç e ka tani, dhe se kjo paraqet një nga problematikat më të vështira të UP-së deri tani.

“Përbërja e Këshillit Drejtues le shumë për të dëshiruar. Kurrë njëherë një përbërje të tillë s’kemi pasur, prandaj çështja është shumë më dramatike se që ka pasur ndonjëherë UP-ja. Çështja e plagjiarizmit duhet të adresohet sepse ne kemi plane që këtë dukuri ta luftojmë në mënyrë sistematike. Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë nëse ne kemi në hierarkinë më të lartë njerëz të cilët nuk e kanë pastruar vetë çështjen”, është shprehur Sahiti.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së kanë iniciuar shkarkimin e rektorit të UP-së, Naser Sahiti.

Lidhur me këtë veprim kanë reaguar të mërkurën 19 organizata të shoqërisë civile të cilat janë deklaruar se denoncojmë çdo tentativë të shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale të keqpërdorimeve të mundshme të tyre.

“Ndërkohë që jemi dëshmitarë se asnjë skandal nuk është raportuar që nga zgjedhja e prof. dr. Naser Sahitit në pozitën e rektorit. Përkundrazi, organizatat monitoruese të arsimit të lartë para pak kohësh kanë theksuar avancimin e transparencës në Universitetin e Prishtinës gjatë mandatit të tij. Po ashtu, organizatat monitoruese të UP-së kanë raportuar se në proceset e ndjeshme, si ato të avancimeve akademike, ka pasur meritokraci. Ne, organizatat e poshtëshënuara, e denoncojmë çdo tentativë të shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale të keqpërdorimeve të mundshme të tyre, si dhe pa e bërë të qartë se cilat janë ndryshimet që planifikohen të ndodhin”, thuhet në një reagim të tyre.

Të ngjashme