Sport
Zhgënjen Kosova, barazon me Andorrën
Demokracia
22:43 | 28 Mars 2023

Share:

Kosova nuk e ka marrë më shumë se një pikë ndaj Andorrës, ndeshje në të cilën është konsideruar favorite absolute dhe është dashur ta fitojë. Dueli mes Kosovës dhe Andorrës, që i takoi Grupit I të kualifikimeve për Euro 2024, përfundoi 1:1 të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edhe pse pati dominimin e plotë gjatë tërë ndeshjes dhe vazhdimisht ishte në pjesën e Andorrës, Kosova nuk arriti të shënojë më shumë se një gol, i cili nuk mjaftoi për ta fituar ndeshjen.

Në fakt, Kosova kaloi në epërsi në fillim të pjesës së dytë, nëpërmjet rezervistit Edon Zhegrova. Ai realizoi në minutën e 59-të pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistimit të Milot Rashicës. Mirëpo, epërsia e Kosovës nuk zgjati pothuajse as dy minuta, pasi Andorra barazoi rezultatin nga gjysmërasti i vetëm që e pati gjatë tërë ndeshjes.

Në minutën e 61-të, pas një harkimi nga gjuajtja e lirë, Berto Rosas shënoi me kokë nga afërsia pasi u asistua nga Albert Alverdas brenda në zonë për të barazuar shifrat.

Pas golit të pranuar, Kosova u përpoq për ta rikthyer epërsinë por nuk ia doli ta mposhtë portierin mysafir Iker Alvarez. Vedat Muriqi gjuajti me kokë pranë pingules në minutën e 81-të, ndërsa dy minuta më herët tentoi edhe Zymer Bytyqi por pa sukses.

Muriqi u mundua edhe në pjesën e parë të bënte diçka më shumë, por Andorra ishte e vendosur mirë në mbrojtje dhe nuk lejonte shumë hapësira për Kosovën.

Për Kosovën, ky është barazimi i dytë në këto kualifikime, pasi luajti 1:1 është në ndeshjen e parë javën e shkuar në Tel Aviv ndaj Izraelit.

Ndërkohë, Andorra e mori pikën e parë në këto kualifikime, pasi në ndeshjen e parë pësoi nga Përfaqësuesja e Rumanisë (2:0).

 

 

Të ngjashme