Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndonëse kanë kaluar më shumë se tridhjetë orë nga vendimi për lirimin e ish-policit serb Dejan Pantiq në arrest shtëpiak, ai nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme.
Xhelal Sveçla, që është një prej njerëzve më të angazhuar në çështjen e veriut, i cili sipas burimeve të Demokracia.com i ka kaluar edhe disa net bashkë me policët e Kosovës në kampin “Belvedere”, po mundohet ta kalojë në heshtje lirimin e Pantiqit, shkruan Demokracia.com.
Veç një javë më parë, Sveçla e cilësonte të papranueshëm lirimin e ish-policit serb.
“Lirimi i Pantiqit është i papranueshëm. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur. Ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje e jo në stacionin policor. Lidhur me këtë kemi dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e tij në qendrën adekuatë për mbajtje të paraburgimit”, ka deklaruar një javë më parë ai.
Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimin për sulmin ndaj objektit të KKZ-së në veri të Mitrovicës. Pas arrestimit të tij, serbët ngritën edhe barrikadat.
Sveçla në ditën e arrestimit të Pantiqit më 10 dhjetor ishte ndër të parët që e dha lajmin në Facebook.
“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinjë ish zyrtarin policor, ish pjesëtarin e MUP-it, i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiç. I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues. Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Ftoj të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë e në veçanti qytetarët tanë të etnisë serbe që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në veri. Asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit.
Kjo heshtje e Sveçlës është e pakuptueshme kur dihet se ai shkruan në Facebook edhe për aksionet më të vogla të Policisë, duke tentuar ta përvetësojë çdo sukses. / Demokracia.com/