Njëra nga skuadrat që ka sjell më së shumti risi në futbollin kosovar padyshim është Llapi, shkruan Demokracia.com
Pozita aspak e mirë në tabelë në stinorin vjeshtor bëri që drejtuesit e klubit t’i “ndezin motorët” dhe mos të kursejnë asgjë në afatin kalimtar të janarit duke sjellë përforcime në mënyrë që sa më shpejt të dalin nga zona e rrezikshme.
Njëri nga futbollistët më të mirë të Llapit, Mentor Zhdrella në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se ekipi është gati dhe se mezi po e presin stinorin pranveror.
Sipas tij në Antalia kanë punuar shumë dhe kjo do të reflektojë në kampionat.
“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Fazën e parë e kemi kryer këtu, ndërsa të dytë në Antalia dhe kemi punuar shumë mirë atje”, ka thënë fillimisht Zhdrella duke shtuar:
“Besoj shumë që puna që kemi bërë në stërvitje do të vjen në shprehej në kampionat dhe do të kemi rezultate që i presim”, vlerësoi fantazisti llapjan.
Llapi në mesjavën që vjen e ka një ndeshje shumë të vështirë ku në Kupën e Kosovës, do të ndeshet me Ballkanin, një rival shumë i vështirë por jo edhe i pakalueshëm.
“Ndeshja me Ballkanin do të jetë shumë e vështirë. Kuptohet ata kanë një skuadër cilësore dhe për çdo respekt, mirëpo ne do të hymë me përqendrimin maksimal për të vazhduar tutje”, ka përfunduar Mentor Zhdrella.
Të kujtojmë se Llapi pas 18 ndeshjeve është në pozitën e tetë me 20 pikë vetëm një më shumë sesa i nënti, pozitë kjo që qon një kategori më poshtë, kështu që pranvera pritet të jetë shumë e nxehtë për këtë skuadër. /Demokracia.com