Lajme
Zgjedhjet serbe të prillit: Këshilltari amerikan telefonon Kurtin, nuk përmendet më votimi me postë
Demokracia
23:01 | 18 Shkurt 2022

Share:

Këshilltari amerikan për Politikën e Jashtme, që aktualisht shërben në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, ka konfirmuar se e ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Chollet ka bërë të ditur se kanë biseduar rreth zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në prill, raporton Demokracia.com.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter nuk e ka përmendur fare votimin me postë, të cilën Kurti po këmbëngul që të zhvillohet.

“Telefonatë fantastike me kryeministrin @albinkurti. Rikonfirmova mbështetjen e palëkundur për sovranitetin e Kosovës. Duke parë zgjedhjet e prillit në Serbi, u diskutuan praktikat kur shtetet e OSBE-së kanë rënë dakord me kërkesat e shteteve të tjera për votim fizik. Falënderoi Kosovën për bujarinë që tregoi duke pritur afganët”, ka shkruar këshilltari Derek Chollet.

Kurti, pavarësisht reagimeve që mori nga shtetet e QUINT-it dhe SHBA-ja, nuk lejoi që të mbahet referendumi serb në Kosovë.

Pritjet nga qytetarët janë se ai njëjtë do të veprojë edhe për zgjedhjet serbe, por për këtë në prapaskenë veçse janë duke u shqyrtuar modalitetet për gjetjen e një zgjidhjeje për lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme