Lajme
Zgjedhjet rajonale në Francë: Macron dhe Le Pen nuk kalojnë siç parashikonin sondazhet
Demokracia
12:55 | 21 Qershor 2021

Share:

Rezultatet e hershme tregojnë se presidenti Emmanuel Macron dhe kundërshtarja e tij Marine Le Pen nuk do të arrijnë rezultatet që shpresonin në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale në Francë.

Partia centriste e Macron parashikohet të fitojë më shumë se 10 për qind të votave – mjaftueshëm sa për të marrë pjesë në raundin e dytë fundjavën e ardhshme.

Partia e ekstremit të djathtë e zonjës Le Pen ka marr më pak vota se sa parashihej.

Të dy këto parti janë prapa partisë konservatore “Les Républicains”.

Një nga deputetët e Presidentit Macron, Aurore Bergé, përshkroi performancën e dobët të partisë së saj si një “shuplakë demokratike në fytyrë për të gjithë ne”.

Partia e Le Pen, “Rassemblement national” pritej të dilte e para në raundin e parë të votimit, të dielën, dhe të fitonte të paktën një rajon për herë të parë. Në vend të kësaj, tani parashikohet të dalë e dyta.

Zonja Le Pen nuk kandidon si kandidate por ajo ka qenë duke udhëhequr fushatën.

Ajo e quajti pjesëmarrjen e ulët të votuesve – një abstenim prej rreth 66% – si një “katastrofë qytetare”.

“Le ta pranojmë, rezultatet janë pasojë e abstenimit të madh dhe gjithashtu historik prej gati 70% për shkak të mosbesimit ndaj një sistemi zgjedhor që u jep votuesve ndjenjën se asgjë nuk mund të ndryshojë, se gjithçka është e kapur”, tha ajo.

Në Francë qytetarët po votojnë për këshilltarët e rinj në 12 rajonet e Francës, në ishullin e Korsikës, plus katër rajonet jashtë shtetit, si dhe për 96 departamente. Më shumë se 15700 kandidatë garojnë për 4,100 vende.

Këto zgjedhje po ndiqen me vëmendje të veçantë sepse zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë më pak se një vit larg dhe besohet se tregojnë disponimin aktual të votuesve.

Një exit-poll i Ipsos thotë se konservatorja “Les Républicains” fiton 27% të votave, ndjekur nga “Rassemblement national” me 19%. Të Gjelbrit, Partia Socialiste dhe “La République En Marche” (LREM) e Presidentit Macron kanë të gjitha nga 11%.

Kjo është hera e parë që partia e Presidentit Macron merr pjesë në zgjedhjet rajonale – La République en Marche nuk ekzistonte herën e fundit që u mbajtën këto, më 2015.

Partia e tij nuk pritej të kalonte mirë në këto zgjedhje. Muajin e kaluar një ministër i tha agjencisë së lajmeve AFP se “këto zgjedhje nuk janë kurrë të mira për partinë në pushtet”.

Megjithatë LREM ka kaluar më keq sesa pritej pasi duket se nuk do të fitojë asnjë rajon, një shenjë që partia nuk ka arritur të ndërtojë mbështetje në nivelin lokal.

Zgjedhjet rajonale u vonuan për tre muaj për shkak të pandemisë. Raundi i dytë do të mbahet më 27 Qershor.

Redaktorët e mediave e kishin të vështirë këtë mëngjes për të vendosur se cili ishte titulli kryesor i ditës së djeshme, shkruan BBC në analizën e saj të zgjedhjeve. Zhgënjim për Marine? Dështimi i Macron? A janë republikanët e qendrës së djathtë të gatshëm për sfidën presidenciale? A janë ende të fortë të majtit, socialistët dhe të gjelbrit?

Apo ishte: krizë në demokracinë franceze. Vetëm një në tre more mundin të dalë të votojë.

Të gjithë këta tituj mund të jenë të saktë. Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen kanë pak arsye për të qenë të kënaqur, ndërsa Les Républicains (Gaullistët e vjetër) shohin në sukseset e Xavier Bertrand në veri dhe Valérie Pécresse në rajonin e Parisit shenjat që njëri ose tjetri do të jetë kandidat serioz presidencial. E majta mund të thotë (edhe një herë): vetëm sikur të mund të bashkoheshim, mund të llogariteshim për diçka.

Në të vërtetë, niveli astronomik i abstenimit do të thotë që mund të argumentoni gjithçka por edhe të kundërtën e saj. Sepse për çdo opinion vjen reagimi “po, por çfarë mendon shumica?”. Ata që nuk dolën.

Të ngjashme