Lajme
Zgjedhjet në veri| Kabineti i Osmanit nuk i dinë as kompetencat e presidentit, i ngatërrojnë me të KQZ-së
Demokracia
20:47 | 06 Nëntor 2022

Share:

Pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave me shumicë serbe nga institucionet e Kosovës, katër komunat në veri të vendit kanë mbetur pa kryetarë. Kësisoj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet për kryetarët e rinj.

Sipas ligjit, Osmani obligohet t’i thërras partitë politike në veri të Kosovës për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, kabineti i presidentes duket se nuk i njeh kompetencat e Zyrës së Presidentit.

“S’ka asgjë me shkrim ende. Procedurat kalojnë nëpërmjet KQZ-së”, ka thënë shkurtimisht për Kohën, këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.

Faktikisht, procedurat nuk kalojnë fare në këtë rast përmes KQZ-së, e cila vetëm i organizon zgjedhjet, por përmes MAPL-së dhe Presidencës.

Sipas ligjit, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas shkresës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pas një procesi të konsultimeve përkatëse me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve merr vendim për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave.

Sipas nenit 4 të Ligjit për Zgjedhjet, pas konsultimit me partitë politike, Presidenti i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve.

Një rast i tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2019 kur kryetarët e katër komunave në veri të Mitrovicës kishin dhënë dorëheqje për shkak të taksës 100 për qind për produktet serbe.

Në atë kohë, përmes një komunikate për mediat, Zyra e Presidentit kishte njoftuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, duke marrë parasysh shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe pas një procesi të konsultimeve përkatëse me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sot ka nxjerr vendimin për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, thuhej në njoftimin e Presidencës në atë kohë. /Demokracia.com/

Të ngjashme