Fushata aktuale zgjedhore në Shqipëri nuk po ngjan me një betejë të zakonshme politike. Nuk është më thjesht një përplasje programesh, vizionesh apo modeli qeverisës. Është shndërruar në një duel simbolik mes dy qendrave të largëta: Brukselit dhe Mar-a-Lagos. Në njërën anë kemi Edi Ramën, që e paraqet Partinë Socialiste si të vetmen rrugë drejt integrimit europian. Retorika e tij e ka kthyer votën më 11 maj në një lloj referendumi për Europën, ku çdo votë për PS-në është, sipas tij, një votë për Brukselin, për kapitujt e hapur, për të ardhmen “në familjen europiane”. Ai është mbështjellë me flamurin e BE-së si me një mantel superheroi, i vetëdijshëm që ëndrra e integrimit është ende e gjallë te shqiptarët, të cilët në sondazhe zënë vendin e parë për pro-evropianizëm në Evropë. Rama ka ushqyer iluzionin për një hyrje të përshpejtuar në BE brenda vitit 2030, duke u mbështetur në klimën gjeopolitike të krijuar pas agresionit rus në Ukrainë, me idenë që në këtë kontekst Brukseli do të mbyllë një sy ndaj mospërmbushjes së kritereve të anëtarësimit. Fundja, pse të mos shpresohet? Na ka funksionuar një herë kështu me rastin e anëtarësimit në NATO.
Mirëpo ky skenar i shpresuar, ku demek Shqipëria përfiton nga momenti historik për të mundësuar anëtarësimin e përshpejtuar në vitin 2030, është përgënjeshtruar qartë nga Gjermania, partneri më i fuqishëm në bllokun evropian. Në dokumentin zyrtar të koalicionit qeveritar në Berlin, të nënshkruar nga CDU, CSU dhe SPD, theksohet se zgjerimi i BE-së nuk do të ndodhë me përjashtime, favorizime apo simbolikë politike, por mbi bazën e meritës dhe reformave reale. Dokumenti, diku nga fundi, në seksionin EU in derwelt, propozon një qasje të integrimit të përshkallëzuar, që do të thotë përfshirje graduale në programet dhe politikat e BE-së, status vëzhgues në institucionet europiane dhe anëtarësim të pjesshëm në fusha si politika e jashtme dhe e sigurisë, por jo anëtarësim të plotë pa përmbushur standardet. Mesazhi është i qartë: Nuk ka bypass për Ballkanin Perëndimor, por vetëm një rrugë të gjatë, të mbushur me radarë kontrollues, semaforë dhe tabela që thonë se kriteret janë të pashmangshme. Në anën tjetër është Sali Berisha, që ka ndërmarrë një kthesë të befasishme drejt Mar-a-Lagos. Duke sjellë në Tiranë Chris LaCivita, strategun e Donald Trumpit, Berisha nuk ka sjellë thjesht një këshilltar strategjist klasik.
Ai e ka kthyer LaCivitën në figurë qendrore të fushatës, duke e nxjerrë në skenë për të mbajtur fjalime si të ishte kandidat dhe jo strateg. Është njësoj si të marrësh fotografin e dasmës, ta ulësh në vendin e krushqve dhe ta vësh të ngrejë dollinë kryesore në nder të çiftit të ri. Kjo qasje e partisë kryesore të opozitës nuk është më thjesht teatër politik, por një komedi me kthesë të paparashikuar 180 gradë! Për tre vjet me radhë, gjatë konfliktit të brendshëm në Partinë Demokratike, e gjithë retorika e këtij grupi politik ka qenë një betejë kundër vendimit të SHBA-ve për shpalljen “non grata” të Berishës. Me zë të lartë, me grusht në podium, me flamur kombëtar në dorë, gjatë foltores u ndërtua një narrativë e tërë mbi sovranizmin, ku proklamohej se: “Amerika s’na komandon dot”, “populli ynë vendos për liderët e tij”, “ne jemi zot në shtëpinë tonë” etj., etj.. Por befas sot, i njëjti grup politik e trajton rikthimin e Trumpit në pushtet dhe ndërhyrjen e strategut të tij si shpëtimin e opozitës.
Pra, nga sovranizmi kemi një kërcim pindarik te njëfarë kapitullimi, me shpresë se shpëtimi mund të importohet ose të bëhet outsource prej një kryeqyteti të largët. Në një vend ku problemet reale janë ulur këmbëkryq – braktisja e vendit ka kapur tashmë vendin e parë në botë edhe pse në kushte paqeje; ekonomia ka ngelur në vendnumëro si roje nderi; çmimet garojnë me lartësinë e kullave të reja të Tiranës; arsimi prodhon diplomë por jo shpresë; shëndetësia funksionon më shumë si lotari dhe drejtësia si me lemzë – fushata elektorale nuk bëhet për këto tema. Por në vend të debatit për këto tema, zgjedhësit shqiptarë po përballen me një duel që duket më shumë si skenar i ndonjë satire të përmasave globale: kush do ta përcaktojë të ardhmen e Shqipërisë?
Brukseli, me dosjet e reformave dhe kushtet për integrim, apo Mar-a-Lago, me inatet personale antisorrosiste të presidentit amerikan dhe mesazhet e këshilltarit të tij të fushatës? Pra, në vend të një debati për ekonominë, arsimin, shëndetësinë apo drejtësinë, zgjedhësit shqiptarë përballen me një përballje më të çuditshme: kush do ta përcaktojë të ardhmen e Shqipërisë – Brukseli apo Mar-aLago? E gjithë kjo narrativë, e ndërtuar si përplasje mes Brukselit dhe Mar-a-Lagos, është dëshmi e shterpësisë së elitës aktuale politike dhe papërgjegjshmërisë së saj për t’u përballur me nevojat e qytetarëve. Madje, tingëllon si një sjellje disfatiste, një formë dorëzimi të heshtur, ku elitat tona të konsumuara politike po tregojnë çdo ditë se nuk janë të afta as të zgjidhin problemet e qytetarëve e as t’i dalin zot këtij vendi. Madje na kthen pas, në skenat e mjegullta të viteve të para të shtetit shqiptar, kur konkurrenca politike përcaktohej nga aleancat me të huajt. Asokohe disa shikonin nga Vjena – si Luigj Gurakuqi apo Nikollë Kaçorri – të bindur se Austro-Hungaria ishte garancia e mbijetesës kombëtare përballë fqinjëve grabitqarë. Të tjerë ishin të lidhur me Romën, si Prenk Bib Doda, Shefqet Vërlaci dhe më vonë Ahmet Zogu, që nëpërmjet Italisë donin të garantonin rendin dhe kontrollin politik.
Mandej të mos harrojmë edhe filoserbë si Esad Pashë Toptanin apo dum-babistë si Haxhi Qamili dhe Musa Qazimi, të cilëve u kishte mbetur sahati te nostalgjia për sulltanin. Një shekull më pas, emrat e liderëve kanë ndryshuar, por logjika ka mbetur e njëjtë. Nga njëra anë kemi ata që presin shpëtimin nga Brukseli, me shpresën se integrimi europian do të na sistemojë vetvetiu të gjitha plagët e brendshme – pra kinse integrimi në BE në 2030 do të zgjidhë automatikisht problemet që vetë s’kemi ditur t’i përballojmë. Pala tjetër ngre sytë nga Mar-a-Lago, duke besuar se një kthesë në Uashington do të sjellë përmbysjen politike në Tiranë.
Të dyja palët nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra, pra po flasim për një klasë politike që nuk i flet popullit, por u lutet të huajve. Është një logjikë vasali, aspak e denjë për një shtet që po mbush 113 vjet pavarësi. Ky importim i politikës së jashtme në skenën shqiptare është një absurditet i dëmshëm që e zhvesh qytetarin shqiptar nga fuqia për të vendosur mbi fatin e tij. Në kushtet kur debati politik në vendin tonë sillet ende rreth pyetjes: “Kush nga të huajt do të na zgjidhë hallet?”, ne faktikisht nuk kemi një garë për të qeverisur vendin, por një garë për të zgjedhur protektoratin më të leverdishëm. Shqipëria nuk ka nevojë për përkthyes të vullnetit të BE-së, as për ndërmjetës të vullnetit amerikan.
Ka nevojë për politikë serioze, të pavarur dhe të përgjegjshme. Por një komb si yni, që e ka shpallur pavarësinë me gjak e sakrificë, që i ka mbijetuar copëtimit, robërive dhe tradhtive, nuk mund të mbetet pafundësisht në pozicionin e lypësit të lëmoshës ndërkombëtare. Shqipëria nuk ka lindur për t’u përfaqësuar nga të tjerët. Ajo ka lindur për të folur me zërin e saj. Sepse pavarësia nuk është një datë dosido në kalendar, por një gjendje e mendjes dhe një akt i vazhdueshëm përgjegjësie. Prandaj sot nuk kemi nevojë për zgjedhje elektorale që bëhen për Brukselin apo Mar-a-Lagon, por vetëm për Shqipërinë.