Lajme
Zgjedhjet në Serbi, Kamberi: Të luftojmë në çdo formë demokratike në shtetin që s’na njeh flamurin dhe na pasivizon adresat
Demokracia
22:16 | 26 Nëntor 2023

Share:

Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se do synojë të zgjidhet prapë deputet në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit si bartësi i ”Koalicionit të shqiptarëve të Luginës” e cila është certifikuar nga Komisioni Qendror i Serbisë dhe do ketë numrin 13.

“Të nderuar shqiptarë të Luginës së Preshevës, e di zgjedhjet e shpeshta janë të tepërta, sidomos për ju. Të lehta nuk janë as për ne. E rëndësishme të vazhdojnë dhe të luftojmë në çdo formë demokratike edhe në Parlamentin që na duan më së paku, e prej nga zëri ynë dëgjohet më së shumti”, tha ia përmes një video-mesazhi në Facebook.

Kamberi ka theksuar se diskriminimi i shqiptarëve vazhdon të jetë i përditshëm, dhe se “urrejtja që ka ushqyer ky pushtet autokrat ndaj shqiptarëve si popull, e Kosovës si shtet është i pa precedent, ndaj tyre nuk duhet heshtur”.

Ai ka potencuar se kjo politikë serbe “na mohon integrimin, flamurin dhe na pasivizon edhe adresat me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të komunave tona”.

“Që mund ta themi të vërtetën na duhet ndihma e juaj, e secilit prej jush. Në këtë luftë të përbashkët së bashku me Partinë Demokratike Shqiptare, Lëvizjen e Progresit Demokratik, Unionin Demokratik Shqiptar e Aleancën për Luginën kemi krijuar listën e përbashkët dhe beteja politike shqiptare vazhdon për zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit”, theksoi ai.

Tutje, Kamberi ka potencuar se “beteja politike për të drejtat tona është misioni ynë”.

Me 1 nëntor, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 17 dhjetor, të tretat me radhë në Serbi në tre vjet e gjysmë.

Shpallja dhe mbajtja e tyre, ndodh në një periudhë përpjekjesh diplomatike perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, mes tensioneve që pasuan një sulm të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator.

Sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Të ngjashme