Lajme
Zgjedhjet në Serbi – Grupi i PE-së qorton SNS-në: Vjedhja e votave s’lejohet në demokraci
Demokracia
09:45 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin, ndërsa Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamanetin Evropian (PE), ka bërë thirrje për hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë e raportuara.

Andreas Schieder, eurodeputeti austriak dhe anëtari i misionit vëzhgues të PE-së, ka denoncuar parregullsitë gjatë procesit të votimit, posaçërish mbi votuesit ilegalë të ardhur në mënyrë të organizuar nga pjesë të ndryshme të rajonit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore të Serbisë të mbajtura të dielën e 17 dhjetorit.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për presionin e raportuar ndaj votuesve, gjuhën e urrejtjes në fushatë, ngacmimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile në Serbi, keqpërdorimin e burimeve administrative dhe ndërhyrjet e manipulimet e mundshme malinje ruse ose të huaja”, ka thënë Schieder, duke shtuar se vjedhja e votave nuk lejohet në demokraci.

Schieder ka ngritur posaçërisht shqetësimin për manipulimin dhe vjedhen e votave në kryeqytetin serb. Dyshimeve për vjedhjen e votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) u kanë bërë jehonë  edhe partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”. Ata kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për pretendimet për mashtrim në Beograd, i cili mund të ketë vjedhur një fitore nga opozita. Ne ishim të lumtur që pamë një opozitë të bashkuar dhe të fortë në fushatën zgjedhore dhe besojmë në luftën e tyre të vazhdueshme për demokraci në Serbi pas zgjedhjeve”, ka theksuar ndër të tjera eurodeputeti austriak.

E besimi i qytetarëve serbë ndaj listës së partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, vetëm konfirmon se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal.

Të ngjashme