Sot po mbahen zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, e ku votohet për kryetar të partisë më të madhe në Kosovës.
Njëkohësisht, sot votohet edhe për kryetar të Organizatës së Grave dhe asaj të Rinisë së VV-së.
Të gjitha këto tri organe kanë një gjë të përbashkët: në garë është vetëm një kandidat.
Pra Albin Kurti është i vetëm në garë për kryetar të LVV-së. Në këtë kontekst, në mungesë të një kundërkandidati, gjasat që Kurti ta ketë votuar vetën janë të mëdha.
Por, në ekuacionin e probabilitetit, duhet të përfshihet edhe mundësia që Kurti, për shkak të modestisë që e karakterizon, të mos e ketë votuar fare për vetën.
Pra, duke u përmbajtur nga egoja, Kurti mund ta ketë lënë të zbrazur tërësisht fletëvotimin ku shkruan emri i tij.
Por, edhe mundësia e votimit kundër vetës është prezentë, ndonëse Albin Kurti zor se e ka bërë një veprim të tillë, kaq radikal, pra të votimit kundër vetës.
Basti më i sigurt është që Kurti ta ketë votuar vetën në garë për kryetar të VV-së, e të cilat vetë ai i vlerësoi si demokratike.