Lajme
Zgjedhje në kohë pandemie
Demokracia
16:42 | 22 Janar 2021

Share:

Ende pa filluar fushata zgjedhore, partitë politike në Kosovë kanë nisur me tubime në qytete të ndryshme. Kjo do të ishte deri diku normale në rrethana tjera, por në kohën kur e tërë bota përballet me pandemi, këto takime duken të papranueshme. Demokracia.com ka pyetur njohësit e çështjes si dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se si do të duhej të organizohet fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit në kushtet e pandemisë.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se gjatë kohës së pandemisë është shumë më e pëlqyeshme që të mbahen takimet online dhe në hapësira më të hapura.

“Në këto kushte pandemike në të cilat jemi, partitë politike dhe kandidatët e këtyre subjekteve është më së miri që të organziojnë takime online, në rrjete sociale ose me një numër më të vogël të qytetarëve në ambiente të hapura edhe pse nuk janë kushtet ideale atomsferike dhe të përshtatshme për takime. Mirëpo gjithsesi takimet duhet të mbahen duke respektuar masat anti-covid’’, thotë Krasniqi për Demokracia.com.

Krasniqi cilëson se është në dorën e liderëve dhe kandidatëve të subjeketeve politike që të veprojnë në mënyrën e duhur pa e dëmtuar qytetarin dhe t’i respektojnë masat anti-Covid, e sipas saj kjo nuk do të ndikonte negativisht në rezultatet e tyre nese veprojnë në mënyrën e duhur.

“COVID-19 është një virus që po merr jetë të qytetarëve për çdo ditë në Kosovë dhe nuk është e përshtatshme që fushata zgjedhore t’i shkel këto rregulla bazë për mbrojtje të qytetarit, mu aty ku edhe po kërkohet e vota e tij’’, shton tutje Krasniqi.

Njohësi i zhvillimeve politike, Albert Krasniqi në anën tjetër, në përgjigjen e tij për Demokracia.com ka vlerësuar se kjo periudhë pandemie është e papërshtatshme për fushatë zgjedhore dhe subjektet politike duhet të jenë më kreative në organizimin e tyre që të mbrohet jeta e qytetarëve.

‘’Koha në të cilën jemi është mjaft kritike dhe pak e papërshtatshme për fushatën zgjedhore. Mirëpo partitë politike duhet të tregohen më kreative për organizimin e tyre në mënyrë që të mos rrezikohet jeta qytetarëve. Vet fakti që këto subjekte politike po gjobiten për mos respktim të masave duhet të shërbejë si sinjalizues që të mos vazhdohet në këtë mënyrë dhe të organzimohen më shumë takime online’’, thotë Krasniqi.

Ai ka sugjeruar që, nëse është nevoja, të shikohen edhe rastete Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, që kanë organizuar zgjedhje në kushte pandemie.

‘’Mali i Zi është një shembull, si shtet fqinj, që përkundër gjendes pandemike ka pasur një numër të madh të qytetarëve që kanë qenë pjesëmarrës në votim. Dhe si shembull i duhur mund të mirret Maqedonia e Veriut, për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve duke e ndarë (procesin) në tre ditë, për t’i ikur mundësisë së infektimitt të qytetarëve. Kjo mënyrë e organizmit mund të rekomandohet dhe të praktikohet edhe nga KQZ në Kosovë’’, thekson tutje njohësi i zhvillimeve politike, Albert Krasniqi.

 

A mund ta marrë shembull Kosova mënyrën e organzimit të zgjedhjeve nga Maqedonia e Veriut, për t’i ikur rrezikut nga prekja me COVID-19?

Lidhur me këtë Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, për Demokracia.com thotë se nuk është e nevojshme një formë e tillë e organizimit të zgjedhjeve ashtu si në Maqedoninë e Veriut, pasi që sipas tij në mënyrë të shkëlqyeshme kanë fuksionuar zgjedhjet edhe në Komunën e Podujuvës dhe të Mitrovicës së Veriut me 29 nëntor të vitit të kaluar.

Ai thekson se në këtë mënyrë duhet të respekohen vetëm masat anti-Covid dhe të bëhet zgjidhje edhe për personat e infektuar me COVID-19.

‘’KQZ-ja, nga procesi zgjedhor që kishim në dy komuna në fund të nëntorit, kemi krijuar procedura të veçanta për t’iu përshtatur kërkesave dhe nevojave që dalin nga kjo kohë pandemie. Në këtë drejtim, KQZ-ja ka procedurën për regjistrimin dhe votimin e personave të cilët fatkeqësisht mund të jenë të infektuar me COVID-19 e që në ditën e zgjedhjeve janë në karantinë shtëpiake dhe nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të masave kufizuese. Me qëllim që t’iu mundësojë votimin këtyre votuesve, KQZ-ja dërgon ekipet mobile në adresë të tyre, në ditën e zgjedhjeve. Gjithashtu, KQZ-ja ka përcaktuar edhe masat kufizuese të cilat duhet të zbatohen nga stafi zgjedhor, vëzhguesit dhe votuesit”, tha Elezi.

Elezi thotë se gjatë ditës së zgjedhjeve duhet të respektohen masat anti-Covid, votuesit të qëndrojnë me distancë fizike në 2 metra dhe të mbajnë maskat; gjithashtu edhe stafi zgjedhor duhet t’i respektojë këto rregulla që të shkojë procesi në mënyrën më të sigurt të mundshme.

‘’Sipas udhëzimit të miratuar për masat mbrojtëse që duhej të zbatoheshin më 29 nëntor, votuesit kanë mbajtur distancën fizike me 2m gjatë kohës sa janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit. Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim do të vendosen edhe dezifenktuesit që do t’i shërbejnë votuesve për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit. Ndërkaq, stafi zgjedhor i cili do të angazhohet në ditën e zgjedhjeve, duhet të kujdeset për dezinfektimin e tavolinave dhe të bëjë ajrosjen kohë-pas-kohe të vendvotimeve. Po ashtu, stafi zgjedhor duhet të zbatojë edhe disa masa të tjera mbrojtëse që kanë të bëjnë me procesin e numërimit të fletëvotimeve në vendvotim. Gjatë këtij procesi, stafi zgjedhor duhet të mbajë maskën dhe dorëzat mbrojtëse’’, përfundoi Elezi.

Kujtojmë se 14 shkurti është data e caktur e zgjedhjeve të parakohshme paralamentare që do të mbahen në Kosovë.

Partitë politike veç se kanë nisur fushatën, ndërsa tri prej tyre, LDK, AAK dhe NISMA janë dënuar me gjoba për mos-respektim të masave anti-COVID, nga inspekcioni komunal i Prishtinës./Demokracia.com

Të ngjashme