Lajme
Zgjedhja e presidentit, raundi i tretë në 30 maj, palët larg konsensusit
Demokracia
19:15 | 24 Maj 2022

Share:

Të hënën e fundit të muajit do të zhvillohet raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë. Konferenca e Kryetarëve la afatin maksimal për të negociuar ndërmjet palëve për gjetjen e një kandidature konsensuale, diçka që duket edhe më e vështirë pasi palët janë ende duke diskutuar procedurën e jo kandidaturat.

30 maji do të jetë raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Por edhe këtë herë maxhoranca dhe opozita gjetën konsensusin vetëm për datën, jo për procesin, gjë që u reflektua në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

“Ose të futemi në mënyrë serioze dhe nuk ka as negociata me kamera dhe televizione, nuk është kjo çështja, çështja është të kesh këllqe dhe të marrësh vendime”, tha Mesila Doda.

“Ne duhet të kishim çuar dje një kandidaturë dhe duhet të çojmë një kandidaturë në raundin e tretë. Nëse ne nuk çojmë një kandidaturë në raundi ne tretë, ne si opozitë nuk duhet të bëhemi pjesë e një procesi që është farsë”, deklaroi Mediu.

Raundi i dytë u dogj pasi opozita akuzoi maxhorancën për shkelje të marrëveshjes. Taulant Balla u shpreh se deri më 30 maj PS-ja nuk do të çojë asnjë kandidaturë duka ia lënë këtë atribut opozitës. Por për PD-në kjo nuk është ofertë e sinqertë.

“Nuk i qëndrojnë fjalës, nuk i qëndrojnë dakordësisë. Nuk i qëndrojnë asaj që pohuan vetë. Në këtë proces është si të thuash me pistoletë në tavolinë. Unë i kam 71 vota, po deshët hajdeni po deshët mos hajdeni”, shtoi Enkelejd Alibeaj, shkruan a2news. “Nëse ju quani proces negociatash që ju përcaktoni katër dhe një nga ata katër do të jetë president kjo nuk është negociatë’, u përgjigj Balla.

Debatet në sallë nuk prodhuan diçka konkrete dhe tanimë shanset për një president konsensual reduktohen gjithnjë e më shumë pasi opozita duket se nuk do ta testojë ofertën e maxhorancës me kandidaturë ndërsa PS-ja është gati të hap zarfin me emrin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për raundin e katërt.

Të ngjashme