Lajme
Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s vjen nesër në Kosovë, takim sy më sy me Osmanin dhe Rakiqin
Demokracia
11:34 | 06 Korrik 2022

Share:

Një delegacion i lartë i Këshillit të NATO-s do të jetë për vizitë në Kosovë këtë të enjte.

Në një postim në Twitter të zëdhënëses së NATO-s, Oana Lungescu, bëhet e ditur se delegacioni i NATO-s do të jetë në Kosovë më 7 korrik dhe do të udhëhiqet nga zëvendëssekretari i përgjithshëm, Mircea Geoana.

“Të enjten e 7 korrikut, një delegacion i lartë i Këshillit të NATO-s do ta vizitojë Kosovën, ka bërë të ditur në një njoftim për media NATO-ja. Zëvendëssekretari i përgjithshëm, Mircea Geoana, do të jetë udhëheqës i delegacionit”, shkruan Lungescu, përcjell Demokracia.com.

Sipas njoftimit zyrtar, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, do të takohet me komandantin e KFOR-it gjeneralmajor Ferenc Kajári dhe drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, gjeneral brigade Joachim Hoppe.

Geoana, po ashtu, do të zhvillojë takim të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani dhe ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.

“Ata do të kenë edhe një shkëmbim me shefat e misioneve të Bashkimit Evropian, EULEX-it, OSBE-së dhe UNMIK-ut. Ambasadorët do të kenë mundësinë të angazhohen me trupat e KFOR-it. Zëvendëssekretari i Përgjithshëm do të takohet me znj. Vjosa Osmani dhe z. Goran Rakiq në Prishtinë për një diskutim dypalësh”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com/

Të ngjashme