Lajme
Zëvendësja e Gërvallës flet diçka për njëfarë lloj privatësie në MPJD, pavarësisht që u dënuan 13 mijë euro
Demokracia
18:24 | 28 Korrik 2022

Share:

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, sot ka folur për punën e shpenzimeve të Prindon Sadriut, për të cilat MPJ është gjobitur me 13 mijë euro, meqë nuk kanë lejuar qasje në ato dokumente publike.

Gashi duke u munduar ta arsyetojë mbylljen hermetike të këtij institucioni publik, pasi drejtimin e mori Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se informacionet e këtij institucioni publik kanë një lloj privatësie, duke harruar se çështjet konfidenciale klasifikohen me ligj dhe publikimi i shpenzimeve të një diplomati të caktuar nuk është sekret shtetëror. Nuk janë madje sekrete as shpenzimet e presidentëve, të cilët i ka bërë publike presidentja Vjosa Osmani, e cila është bashkëshorte e diplomatit Prindon Sadriu, që i janë fshehur shpenzimet me paratë e shtetit.

Ajo në Frontal të T7 ka thënë se të gjitha shpenzimet me paratë e taksapaguesve do të jenë transparente dhe të hapura, derisa ka kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve, meqë jo çdo lëvizje që ndodh duhet ndarë me publikun. Teksa e ka thënë këtë, Gashi ka përmendur edhe “back door diplomacy”.

“Unë besoj që jo vetëm shpenzimet e Prindon Sadriut, por të gjitha shpenzimet që i kemi në institucion që paguhen me taksat e qytetarit do të jenë transparente dhe të hapura, por në të njëjtën kohë unë kërkoj mirëkuptim sepse MPJ është poashtu një institucion që ka një lloj privatësie për disa arsye, kështu që në këtë drejtim ne kërkojmë mirëkuptim prej gazetarëve sepse jo gjithçka, lëvizjet që bëhen duhet me qenë publike, për faktin se janë disa elemente në kuadër të backdoor diplomacy që nuk duhet dalin fare”, ka thënë Liza Gashi.

Të ngjashme