Lajme
Zëvendësi i Kurtit zbulon arsyet pse po i sulmojnë institucionet e drejtësisë: Në pamundësi për të ndërhyrë, unë…
Demokracia
21:39 | 24 Janar 2024

Share:

Pushtetarët edhe përkundër vërejtjeve të ambasadoruëve i kanë vazhduar sulmet mbi Gjykatën Kushtetuese. 

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, sot i kanë ashpërsuar sulmet ndaj këtij institucioni, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Albin Kurti është ankuar sot në Gjykatën Kushtetuese.

Ai ka bërë një përmbledhje lidhur me prioritetet e Qeverisë së tij për këtë vit, për secilën fushë. Duke folur për fushën e drejtësisë, Kurti ka përmendur Vettingun, që tha se po merr rrugë, derisa tha se tash e 11 muaj po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ky ligj është dërguar në Kushtetuese nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Tutje, Kurti tha se luftën kundër korrupsionit këtë vit do ta bëjnë edhe përmes themelimit të Byrosë për Konfiskimin Civil dhe funksionalizimit të Task-forcës Anti-korrupsion e të ekipeve të përbashkëta të hetimit.

“Vettingu po merr rrugë, pas Aktgjykimit në fund të vitit që lamë pas nga Gjykata Kushtetuese. Ky proces përveçse premtim, është domosdoshmëri që na dëshmohet çdo ditë. Krahas tij, teksa presim tash e 11 muaj për vendim të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, luftën kundër korrupsionit në këtë vit do ta bëjmë edhe përmes themelimit të Byrosë për Konfiskimin Civil dhe funksionalizimit të Task-forcës Anti-korrupsion e të ekipeve të përbashkëta të hetimit. Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës si prioritet tjetër i yni, do të vijojë tutje me funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, por gjithashtu, me finalizimin dhe miratimin e Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale”, ka deklaruar Kurti.

Edhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, sot në një konferencë të përbashkët për media me ministrin çek, ka folur pas reagimeve ndërkombëtare për kritikat e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese, që i bëri në fillim të këtij muaji. Përveç tij, edhe disa qeveritarë të tjerë adresuan kritika.

Por, për dallim nga Kurti, zëvendësi i tij që njihet për demaskim naiv të politikave të dëmshme të kësaj Qeverie duke u munduar të filozofojë, i ka zbuluar edhe arsyet pse po i sulmojnë institucionet e drejtësisë.

“Sa i përket brengave për ndërhyrje në drejtësi, mendoj që unë si zëvendëskryeministër i kam dy mundësi: ose flas me gjykatësit nëpër mekanizma paralelë dhe ndikoj në vendimin e tyre, atëherë nuk ka nevojë të deklarohem publikisht, sepse kam arritur qëllimin, kam ndërhyrë në drejtësi dhe kam orientuar vendimin andej kah unë mendoj se duhet të shkojë; ose në pamundësi të ndërhyrjes në drejtësi, unë deklarohem publikisht për brengat që kam. Çdo deklarim publikisht i imi për problemet me sistemin e drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi, sepse tregojnë se unë kam një pakënaqësi dhe unë s’e kam zgjedh mënyrën e ndërhyrjes. Por, jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi është rezultat i mosndërhyrjeve”, tha Bislimi.

Një mesazh që të mos ndikojnë në punët e gjyqësorit iu erdhi nga ambasadorët e vendeve mike në Kosovë nga një takim që disa prej tyre zhvilluan me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

“Për të mbështetur pavarësinë e gjyqësorit është thelbësore që anëtarët e Qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të”, ka deklaruar shefi i BE-së, Tomas Szunyog.

Reagimit të Szunyog iu bashkua edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili tha se kështu s’hapen dyert për Këshill të Europës dhe Bashkim Europian.

“Sundimi i ligjit “à la carte” nuk e hap as rrugën drejt Këshillit të Europës dhe as Bashkimit Europian. Mbështetja e Kosovës në rrugën e saj të integrimit europian është e përzemërt, por edhe Kosova duhet të bëjë pjesën e saj”, tha ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme