Lajme
Zero transparencë, shtyrje, kërcënime: Kuvendi në ngërç tash e 19 ditë
Demokracia
19:29 | 03 Maj 2025

Share:

Teksa Kuvendi vazhdon të mbetet në ngërç total – nga këmbëngulja e Vetëvendosjes për të imponuar kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të institucionit – pamjet ku lideri i kësaj partie, Albin Kurti, i shoqëruar nga truproje dhe me një mospërfillje të theksuar ndaj gazetarëve, janë bërë pjesë e përditshmërisë së zymtë të skenës politike.

Kurti – i cili dikur vetëportretizohej si zëri moral i skenës politike kosovare – mbërriti të shtunën në Kuvendin e Kosovës me shtatë truproje dhe tre xhipa të zinj, që i shërbejnë si dëshmi e gjallë e përgënjeshtrimit të parimeve mbi të cilat dikur ndërtonte kredibilitet.

Ish-kryeministri, tash deputet i VV-së, ashtu siç është bërë tashmë praktikë e zakonshme, zgjodhi të mos ndalet as sot për të komunikuar me përfaqësuesit e mediave. “Mos u afroni” – paralajmëroi ashpër një nga truprojet.

Një skenë edhe më shqetësuese ndodhi dje, kur një nga truprojat pengoi me forcë një gazetar që po përpiqej të marrë një deklaratë të shkurtër lidhur me rezultatin shqetësues të Kosovës në indeksin vjetor të lirisë së shtypit, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, ku vendi u rendit në pozitën e 99-të nga 180 shtete, një tregues i rënies serioze të standardeve të lirisë mediatike.

Pavarësisht dështimeve të përsëritura për ta siguruar mbështetjen e 61 deputetëve për Haxhiun, VV insiston në emrin e Haxhiut, ndonëse të vetëdijshme tashmë për rezultatin para çdo votimi.

Për t’i shtuar edhe më shumë absurditet situatës, zyrtarët e kësaj partie po akuzojnë deputetët e partitve tjera për bllokadë, ndërsa këta të fundit po argumentojnë se e drejta e votës së lirë, përkatësisht e votimit kundër në rast të mospajtimit me kandidatin e propozuar nga partia e parë, iu garantohet me Kushtetutë.

Retorika përçmuese ndaj partive të tjera politike, që u artikulua me arrogancë para 9 shkurtit, iu kthye Kurtit në një bumerang, duke e detyruar t’iu shtrijë dorën atyre që deri dje i quante të papranueshëm – një veprim që nga nga liderët e PDK-së dhe LDK-së po perceptohet si një tjetër manovër taktike, pa qëllime reale për t’i kontribuar zgjidhjes së krizës.

Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, veprimet e fundit të Kurtit janë asgjë më shumë se një përpjekje e re për t’u viktimizuar, ndërsa shtoi se PDK mbetet konstruktive në rast se ekziston vullneti real për dalë nga ngërçi aktual:

“Ne jemi këtu për Kosovën. Dhe për Kosovën, ulemi gjithmonë. Por kurrë s’do të heshtim. Jo përballë bllokadës. As përballë paaftësisë. E as për mungesën e vullnetit për zgjidhje. Perdet ranë. Dhe me to, edhe një tjetër tentativë për viktimizim. Sheshit po shihen bllokuesit. Po zbulohen edhe taktizuesit me fatin e qytetarëve. Por, skemat s’prodhojnë shumicë, vetëm të vërtetën. Ky koalicion nuk i ka numrat – pikë. PDK nuk fshihet mbrapa asgjëje dhe është gjithmonë e gatshme t’ua thotë në sy – secilit – qëndrimet dhe pozicionet e saj. Imponimet tek ne nuk kalojnë. Mirë se vini në DEMOKRACI. PDK është dhe do të jetë gjithmonë këtu – duke respektuar besimin dhe mandatin e qytetarëve. Për Kosovën. Për të ardhmen!” – shkroi Krasniqi në Facebook.

Ndërkohë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili ka refuzuar vazhdimisht çdo ofertë për takim nga Kurti, u shpreh me tone të ashpra për mosbesimin ndaj qasjes së tij:

“A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim? Të takojnë, të mashtrojnë!Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë.Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë! Sepse nuk njohin njerëzoren, as fjalën as kurrizin! Kjo politikë duhet të marrë fund! LDK do t’i japë fund! Është interes kombëtar refuzimi i qasjes së tillë politike, jo nënshtrimi e dorëzimi para saj. Shpresoj dhe partitë tjera ta kuptojnë këtë gjë sa më parë. LDK e ka të qartë. Prandaj është konsistente. Para, gjatë e pas zgjedhjeve.Prandaj votuesi e mbështetësi i LDK-së sot rri krenar!️” – ka shkruar Abdixhiku.

Të ngjashme