Lajme
Zero kushte | Bislimi shkatërron propagandën e Kurtit, nuk ia bënë hesap 3 kushtet e tij dhe e takon Petkoviqin e Serbisë
Demokracia
19:07 | 02 Korrik 2024

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherit kryenegociator në bisedime me Serbinë, pritet të takohet të martën me Petar Petkoviq. Siç u konfirmua nga Bashkimi Evropian, një prej çështjeve që do të diskutohet, janë hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes. Derisa Bislimi po qëndron në Bruksel, nga Kosova, opozita ia ka rikujtuar kushtet e kryeministrit Albin Kurti, të vendosura para një jave.

Fillimisht, gjatë javës së kaluar Kurti qëndroi po ashtu në Bruksel. Megjithatë, ai refuzoi një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq duke paraqitur tri kushte:

“Nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së Bërnabiq, dhe dorëzimi i Milan Radojiçiq”.

Këto tri çështje, i ka rikthyer në vëmendje sot opozita, të cilët kanë pyetur mbi arsyen e pjesëmarrjes së Bislimit në këto takime.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka ironizuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Deliu ka përmendur tri kushtet e kryeministri Albin Kurti.

“Pasi Serbia ia plotësoi të tri kushtet Kryeministrit Kurti, sot, zëvendëskryeministri Bislimi shkoi në takimin e radhës të dialogut – duke e ditur se Radoiçiqi është dorëzuar dhe ndodhet në burg.” – ka thënë ajo.

Tutje, Deliu ka pyetur se çka po bën Bislimi në Bruksel.

“Po çka po bon në Bruksel kundër vullnetit të liderit dhe pa t’i plotësu kushtet, zëvendëskryeministër? Apo ke shku krye n’veti dhe për punë personale? Apo, mos vallë ju shkrinë kushtet rrugës?

Lojëra e manipulime të dobëta. Shumë të dobëta!” – ka thënë ajo.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se kushtet e kryeministrit Kurti për Vuçiqin u avulluan për shtatë ditë.

“Kë po përfaqëson Zëvendës-kryeministri Bislimi? A përfaqëson ai kryeministrin Kurti dhe Kosovën?

Më 26 qershor 2024 Albini, duke treguar një qëndrim të ashpër, refuzoi takimin me Vuçiqin dhe vendosi tre kushte për të filluar dialogun. Por çfarë ndodhi më pas?” – ka shkruar ai.

Tutje, Selmanaj ka thënë:

“Vetëm një javë më vonë, sot me 2 korrik 2024, pa u përmbushur asnjë nga kushtet e tij, zëvendës-kryeministri Bislimi shkon në Bruksel dhe dialogon me Serbine. Ky është një shembull i qartë i hipokrizisë dhe mungesës së koherencës dhe konsistencës në politikën e qeverisë së Albinit.

Qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar këtë lojë. Albini luan rolin e të fortit përmes refuzimeve dhe fjalimeve të zjarrta, por pas një jave, pa asnjë kusht të përmbushur, dërgon zëvendësin e tij për të dialoguar me Serbinë. Kjo tregon një mungesë serioze të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë në udhëheqjen e tij.”.

Ai është drejtuar Kurtit në fund duke thënë se kushtet e tij nuk qëndruan as për një javë, duke pyetur se cila është vlera e politikës së tij, “nëse dorëzohet kaq shpejt”.

Vlen të theksohet se takimi trilateral nuk ka filluar ende në Bruksel. Nacionale do t’iu mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet rreth bisedimeve.

Të ngjashme