Lajme
Zemaj-Kurtit për forcimin e Kishës Serbe: Me pasaportë do të na duhet ta vizitojmë Manastirin e Deçanit
Demokracia
22:47 | 02 Mars 2023

Share:

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në seancën e Kuvendit që po mbahet në orët e vona, ka folur për planin franko-gjerman, ndërsa ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke kërkuar shpjegim për pikën 7 të planit.

Ai e ka pyetur kryeministrin a është personi i njëjtë, pasi që dikur ishte refuzues, ndërsa tani ka pranuar një marrëveshje me lëshime të mëdha.

Duke vënë në fokus pikën 7 të planit, Zemaj ka folur për statusin e Kishës Ortodokse Serbe, duke kërkuar shpjegim nga kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se Serbia s’ka kërkuar falje për krimet, ndërsa Kurti i ka falur, prandaj duhet të kërkojë falje në veçanti atyre që kanë humbur jetën për kauza të rrejshme, përcjell Demokracia.com.

“Pse po i ik shpjegimit të pikës së plotë të pikës 7. Pika shtatë është shtatë herë më e rëndë se çdo marrëveshje. Është e shtata jote kryeministër që e paguan padrejtësisht Kosova”, tha ai.

Zemaj ka thënë se pika e 7-të e marrëveshjes është shumë e rrezikshme.

“A je i vetëdijshëm se nëse fëmijët tonë duan ta vizitojnë natyrën e bukur përreth Manastirit të Deçanit duhet të shkojnë me pasaporta?”, ka pyetur Zemaj.

Zemaj po ashtu ka thënë se Kosova duhet të gëzohet që Kurti nuk ka negociuar më parë, sepse nëse ai do të ishte pjesë e bisedimeve, vendi nuk do të kishte shpallur pavarësinë.

“Me kaq rezultat të dobët është për t’u gëzuar që ti asnjëherë më parë nuk ke negociuar, ngase vështirë se do të ishim të pavarur”, tha ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme