Lajme
Zelensky viziton Ishullin e Gjarpërinjve në ditën e 500-të të luftës: Nga vendi i fitores
Demokracia
14:30 | 08 Korrik 2023

Share:

Volodymyr Zelensky ka vizituar të shtunën ishullin që u bë simbol i rezistencës ukrainase. Vizita e liderit ukrainas vjen teksa lufta ka hyrë në ditën e saj të 500-të.

Në fillim të luftës, ushtarët ukrainas që mbronin ishullin e gjarpërinjve kundërshtuan urdhrin e një luftanijeje ruse për t’u dorëzuar.

Ishulli i Detit të Zi u pushtua nga Rusia, por më vonë u rimor nga Ukraina.

Në një video, presidenti ukrainas e quajti atë “vendin e fitores që nuk do të ripushtohet kurrë.”

“Dua të falënderoj nga këtu, nga ky vend i fitores, secilin prej ushtarëve tanë për këto 500 ditë”, tha Zelensky në videon, në të cilën ai u shfaq duke mbërritur në ishull me varkë dhe duke lënë lule në një memorial.

Kujtojmë se vitin e kaluar, anija kryesore e Rusisë Moskva lundroi në ishullin e gjarpërinjve brenda disa orësh nga fillimi i luftës dhe urdhëroi ushtarët ukrainas në ishull të dorëzoheshin.

“Unë sugjeroj që të lini armët dhe të dorëzoheni për të shmangur gjakderdhjen dhe viktimat e panevojshme. Përndryshe, do të bombardoheni”, tha një oficer rus.

Përgjigja dhe shkëmbimi verbal ukrainas u bënë virale ndërsa një ushtar u përgjigj duke i thënë anijes luftarake ruse “shkoni në ferr”, edhe pse në një gjuhë shumë më të ashpër.

Ishulli i gjarpërinjve u kap dhe ushtarët ukrainas u kapën robër, por më vonë u shkëmbyen me robër rusë

Forcat ukrainase rimorën ishullin në qershor të vitit të kaluar./A2CNN

Të ngjashme