Lajme
Zelensky vendos kushte për bisedime me Rusinë
Demokracia
21:18 | 08 Nëntor 2022

Share:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vendosi kushtet për bisedime me Rusinë, duke i bërë thirrje Moskës që të respektojë Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe të paguajë kompensim për humbjet e shkaktuara nga lufta që vazhdon.

Duke iu drejtuar Konferencës së 27-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike përmes një video-lidhjeje, Zelensky përsëriti gjithashtu thirrjet e tij për rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës, ndëshkimin e çdo krimineli lufte dhe garanci se kjo nuk do të ndodhë më, raportoi Anadoly Agency.

Në fillim të këtij muaji, gjatë një interviste për një media çeke, presidenti ukrainas tha se vendi i tij është i përgatitur të hyjë në negociata me Rusinë vetëm nëse forcat ruse largohen nga të gjitha pjesët e Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe zonat lindore të Donbasit, të kontrolluara de facto nga Rusia që nga viti 2014.

Muajin e kaluar, Zelensky nënshkroi një dekret që shpalli të pavlefshme aneksimin e pjesëve të Ukrainës nga Rusia dhe gjithashtu nënshkroi një dekret tjetër më 30 shtator që deklaronte “pamundësinë e negociatave” me presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas The Washington Post, administrata amerikane ka inkurajuar “privatisht” liderët ukrainas që të sinjalizojnë një qasje të hapur për të negociuar me Rusinë.

Të ngjashme