Lajme
Zelensky sulmon ish-kancelarin gjerman: E neveritshme që punon për Putinin
Demokracia
13:15 | 04 Gusht 2022

Share:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se i duket “e neveritshme” që ish-udhëheqësit e vendeve të rëndësishme evropiane “punojnë për Rusinë”, pasi ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder, tha se Rusia dëshironte një zgjidhje të negociuar për luftën.

Rusia aktualisht po aktivizon “emisarë të ndryshëm”, të cilët synojnë të paraqesin “teza se shteti terrorist dyshohet se dëshiron negociata”, tha Zelenskij në fjalimin e tij të vonë të më 3 gusht.

Schroeder, një mik i presidentit rus Vladimir Putin, tha se u takua me liderin e Kremlinit javën e kaluar në Moskë.

“Është thjesht e neveritshme, kur ish-udhëheqësit e shteteve të mëdha me vlera evropiane punojnë për Rusinë, e cila është në luftë kundër këtyre vlerave”, tha Zelenskij.

“Nëse Rusia vërtet do të dëshironte përfundimin e luftës, ajo nuk do të [dërgonte] tani rezerva në jug të Ukrainës dhe nuk do të prodhonte varre masive të njerëzve të pafajshëm të vrarë në territorin ukrainas”, tha ai.

Mykhaylo Podolyak, këshilltari i lartë i presidencës ukrainase, shkroi në Twitter se nëse Moska dëshiron dialog, topi është në fushën e saj.

Schroeder më herët shprehu shqetësimin për krizën energjetike të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska dhe kërkoi që shefi i Kremlinit t’ia shpjegonte se si e sheh situatën dhe nëse gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 mund të bëhet funksionale.

Ai ka qenë kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005 dhe e ka kritikuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Por, ish-kancelari ka refuzuar që të dënojë Putinin, të cilin ende e konsideron mik të afërt./Gazeta Si

Të ngjashme