Lajme
Zelensky: Rusia planifikon t’i mobilizojë 1 milion qytetarë, jo 300 mijë
Demokracia
22:47 | 22 Shtator 2022

Share:

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të enjten, se Rusia po planifikon t’i mobilizojë 1 milion qytetarë për luftë, e jo 300 mijë sa ka paralajmëruar.

Siç raportoi BBC-ja, Zelensky u shpreh se thirrja për 300 mijë persona dihej tash e sa kohë, por sipas tij, udhëheqësia ruse po bëhet gati për 1 milion.

“Ne e dimë me siguri se thirrjet për 300,000 njerëz janë bërë paraprakisht, edhe para se të shfaqej ky vendim për mobilizimin. Inteligjenca jonë e dëshmoi këtë. Një milion burra është gjëja kryesore për të cilën ata po heshtin tani. Ne e dimë se ata do t’i marrin të gjithë pa dallim”, deklaroi Zelensky.

Në gjuhën ruse, Zelensky iu bëri thirrje qytetarëve të Rusisë që të protestojnë kundër mobilizimit rus dhe t’i dorëzojnë robërit ukrainas.

“Ju jeni tashmë bashkëpunëtorë në të gjitha këto krime, vrasje dhe tortura të ukrainasve. Sepse keni heshtur. Sepse heshtni. Dhe tani është koha që ju të zgjidhni”, shtoi ai.

Më 21 shtator, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njoftoi për një “mobilizim të pjesshëm”, duke urdhëruar grumbullimin e 300 mijë rezervistëve, për t’i dërguar në frontet e luftës në Ukrainë.

 

Të ngjashme