Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur një fjalim sfidues në Kongresin e SHBA-së të enjten, gjatë të cilit ai u zotua se vendi i tij nuk do ta braktisë kurrë rezistencën ndaj agresionit rus, por tha se mbështetja e vazhdueshme e Washingtonit është çelësi për fitoren përfundimtare.
Zelensky u prit me ovacione e duartrokitje të gjata ndërsa mbërriti për të folur në Kongres, i veshur me pantallonat dhe këmishën e tij tashmë të njohur, jeshile të stilit ushtarak, raportoi The Guardian të enjten.
Ai foli edhe për betejat e SHBA-së kundër Gjermanisë naziste dhe angazhimet e presidentit, Franklin Roosevelt gjatë kohës së luftës, derisa deklaroi se guximi ukrainas dhe vendosmëria amerikane do ta garantojë lirinë për Ukrainën.
“Dy kombet tona janë aleatë në këtë betejë dhe viti i ardhshëm do të jetë një pikë kthese. Unë e di atë. Pika kur guximi ukrainas dhe vendosmëria amerikane duhet të garantojnë të ardhmen e lirisë sonë të përbashkët. Liria e njerëzve që mbrojnë vlerat e tyre”, është shprehur Zelensky.
Presidenti ukrainas u largua nga vendi i tij për herë të parë që kur Rusia nisi luftën rreth 300 ditë më parë.
Të mërkurën ai u takua me presidentin amerikan, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë takimit Bideni ia bëri atij të ditur ndihmën e re amerikane për Ukrainën, që përfshin një paketë në vlerë prej rreth 2 miliardë dollarësh, e ku përfshihen edhe bateritë për raketat “Patriot” që do të dërgohen për herë të parë në Ukrainë.