Sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e krahasoi bllokadën ruse të mijëra civilëve në Mariupolin e shkatërruar me një operacion terrorist.
Gjegjësisht, komandantët ukrainas në terren pohojnë se forcat ruse nuk e kanë respektuar armëpushimin për të hapur korridoret e evakuimit dhe se kanë vazhduar të bombardojnë qytetin, transmeton Demokracia.com.
Ju kujtojmë, Mariupol u shkatërrua plotësisht nga javë të tëra bombardimesh dhe granatimesh ruse. Dhjetëra mijëra civilë, që jetojnë në kushte çnjerëzore, janë ende në pritje të evakuimit, thonë zyrtarët ukrainas. Dje, pas një sërë përpjekjesh të pasuksesshme evakuimi, katër autobusë të mbushur me civilë u larguan nga Mariupoli, por ishte vetëm një pikë në oqean.
“Forcat e Federatës Ruse nuk na lejojnë të kalojmë nëpër 120 kilometrat e pushtuara për të arritur në Mariupol. Ne po negociojmë dhe hapim korridore humanitare dhe disa njerëz arrijnë të shpëtojnë. Por mijëra banorë të Mariupolit janë ende të bllokuar dhe Rusia nuk i lejon për të shkuar i sigurt”, tha Zelenski për televizionin francez BFMTV.
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot përpjekjet e Rusisë në Mariupol “të suksesshme” dhe urdhëroi forcat ruse të ndalojnë sulmet në fabrikën e rrethuar të çelikut Azovstal, bastioni i fundit i mbrojtësve të qytetit.
“Banorët, fëmijët, të moshuarit dhe veteranët janë të bllokuar në Mariupol. Nuk është më një luftë, por një operacion terrorist i Rusisë kundër Mariupolit dhe banorëve të atij qyteti”, tha Zelensky. /Demokracia.com/