Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është adresuar Parlamentit të Britanisë të martën nëpërmjet një videoje duke thënë se Ukraina s’do të dorëzohet në mbrojtje të vetes përballë Rusisë.
“Po ju adresohem si qytetar, si president, i një shteti gjithashtu të madh me ëndërr e përpjekje të madhe”, ka nisur fjalimin e tij ai. “Pyetja për ne tani është të jesh apo të mos jesh – pyetje shakespeareane. Mund të jap përgjigje definitive. Është padyshim që po – do të jemi. Ne nuk do të dorëzohemi dhe s’do të humbim. Do të luftojmë deri në fund, në det e në ajër. Do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht kostos”.
Teksa ka falënderuar Britaninë për mbështetjen dhe vënien e sanksioneve ndaj Rusisë, fjalimin e Zelenskyt deputetët e nderuan me duartrokitje të gjatë.
Nga deputetët britanikë fjalimi i Zelenskyt ishte konsideruar si historik për shkak të luftës që ka nisur në shtetin e tij. Rusia ka 13 ditë që ka nisur pushtimin e Ukrainës.