Presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky, ka njoftuar nga Tirana ku po mbahet Samiti Evropian, ka folur në telefon me presidentin amerikan, Donald Trump.
“Fola me Presidentin Donald J. Trump së bashku me Presidentin Macron, Kancelarin Federal Merz, kryeministrat Starmer dhe Tusk. Ne diskutuam për takimin në Stamboll. Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë”, ka shkruar Zelensky, transmeton Ballkani.info.
Ai tutje ka thënë se pozicioni ukrainas, nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar dhe një fund të vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra.
“Presioni mbi Rusinë duhet të mbahet derisa Rusia të jetë gati për t’i dhënë fund luftës. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë”, ka shkruar në fund Zelensky.
Zelensky bashkë me 47 liderët evropianë, përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, po marrin pjesë në Samitin Evropian që po zhvillohet në Tiranë. /Ballkani.info/