Lajme
Zelensky konfirmon se trupat ukrainase janë futur në rajonin Belgorod të Rusisë
Demokracia
09:29 | 08 Prill 2025

Share:

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar për herë të parë publikisht se forcat ukrainase po kryejnë operacione në territorin e Rusisë, konkretisht në rajonet Belgorod dhe Kursk.

“Në vijimësi po zhvillojmë operacione aktive në zonat kufitare brenda territorit të armikut, dhe kjo është drejtësi – lufta duhet të rikthehet aty nga erdhi,” u shpreh Zelensky në një videomesazh të publikuar të hënën mbrëma.

Sipas tij, këto veprime ushtarake kanë për qëllim të mbrojnë rajonet kufitare të Ukrainës, si Sumy dhe Kharkiv, si dhe të ulin presionin rus në pjesë të tjera të vijës së frontit, veçanërisht në Donetsk.

Presidenti ukrainas tha se ka marrë informacione të detajuara nga komandanti i përgjithshëm, gjenerali Oleksandr Syrskyi, për zhvillimet në terren, përfshirë edhe praninë e trupave ukrainase në Belgorod dhe Kursk.

Ai ka falënderuar të gjitha njësitë që po mbrojnë vendin, duke përmendur veçanërisht regjimentin “225 Assault”, që sipas tij, tashmë është futur në territorin e Belgorodit.

Rusia, ndërkohë, pretendon se gjatë muajit të kaluar ka penguar disa tentativa të ushtrisë ukrainase për të depërtuar në rajonin Belgorod, duke i cilësuar si të dështuara.

Kujtojmë se pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia nisi në vitin 2022, dhe aktualisht, forcat ruse kontrollojnë rreth 20% të territorit ukrainas./BBC

Të ngjashme