Lajme
Zelensky i drejtohet Evropës me një fjalim emocionues: Nëse ne biem, do të bini edhe ju
Demokracia
22:32 | 04 Mars 2022

Share:

Sonte, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu drejtua protestuesve të mbledhur në një sërë qytetesh evropiane përmes platformës Zoom, të cilët dolën në rrugë për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus.

“Minuta e parë e këtij fjalimi do të jetë një minutë heshtje për të gjithë ata që ranë në luftë për vendin e tyre, për ushtarët tanë, për të gjithë ata që bëjnë vepra heroike duke mbrojtur vendin tonë, për ata që dhanë jetën e tyre”, tha Zelensky në adresimin e tij protestuesve në Bratislavë, Frankfurt, Pragë, Lion, Tbilisi, Vjenë dhe Vilnius, transmeton Demokracia.com.

“Unë dua t’u uroj gjithë të mirat popujve të Evropës. Ushtarët tanë, heronjtë tanë, po mbrojnë Ukrainën tonë, Evropën tonë dhe Evropën tuaj këto ditë”, shtoi Zelensky.

Zelensky përdori pjesën e fundit të fjalimit të tij për të premtuar fitore në luftë, të cilën ai e quajti “një fitore për Ukrainën dhe një fitore për demokracinë”.

“Dua t’ju bëj thirrje të mos heshtni. Unë dua që ju të dilni në rrugët e qyteteve tuaja dhe të mbështesni Ukrainën, të mbështesni përparimin tonë dhe luftën tonë, sepse nëse Ukraina bie, Evropa do të bjerë. Nëse biem ne, ju do të bini. kështu që ju lutem mos heshtni dhe mos e ktheni kokën”, tha Zelensky

“Dilni dhe mbështesni Ukrainën sa më shumë që të mundeni. Dhe nëse fitojmë, dhe jam i sigurt se do ta bëjmë, do të jetë një fitore për të gjithë botën demokratike. Do të jetë një fitore për lirinë tonë. Do të jetë një fitore e dritës mbi errësirën, lirisë mbi skllavërinë. Nëse na lëmë të fitojmë, ne do të përparojmë si Evropa dhe Evropa do të përparojë më shumë se kurrë pas asaj fitoreje të lavdishme. Lavdi Ukrainës”, përfundoi Zelensky.

Të ngjashme