Lajme
Zelensky i bën thirrje botës ta shpallë Rusinë shtet terrorist
Demokracia
13:49 | 15 Korrik 2022

Share:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta njohë zyrtarisht Rusinë si shtet terrorist. Zelensky mbajti një fjalim natën e së enjtes pas sulmit në Vinnytsia.

“Rusia ka treguar qëndrimin e saj ndaj ligjit ndërkombëtar, ndaj Evropës dhe ndaj gjithë botës së qytetëruar. Pas kësaj, askush nuk mund të ketë asnjë dyshim se një gjykim special për agresionin rus kundër Ukrainës është i nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Zelensky.

Ky reagim i tij vjen pasi raketat goditën qytetin e Vinnytsia të enjten. Në mesin e 23 personave të vrarë ishin tre fëmijë nën moshën 10 vjeç.

Presidenti bëri thirrje për konfiskimin e të gjitha aseteve dhe fondeve ruse në të gjitha vendet e botës, për të kompensuar me to viktimat e terrorit rus.

“Është absolutisht e nevojshme të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur kufizime të tilla kundër eksporteve ruse të energjisë, të cilat nuk do t’i lejojnë terroristët të mbulojnë kostot e tyre në kurriz të komunitetit ndërkombëtar”, shtoi ai.

Zelensky tregoi më pas se një nga raketat shkatërroi qendrën mjekësore Neuromed ku kishte edhe njerëz brenda. Mes të vdekurve në klinikë ishte një vajzë 4-vjeçare e quajtur Liza dhe shtoi se nëna e saj është në gjendje kritike për momentin.

“Rusia i dha fund jetës së vajzës pikërisht në kohën kur një konferencë mbi krimet e luftës ruse po zhvillohej në Holandë, në Hagë”, tha Zelensky.

Të ngjashme