Lajme
Zelensky do të takohet me presidentin kinez pas propozimit për paqe
Demokracia
08:30 | 25 Shkurt 2023

Share:

Presidenti i Ukrainës, Volodymur Zelensky ka thënë se ka në plan të takojë liderin e Kinës, Xi Jinping për të diskutuar propozimet e Pekinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur në përvjetorin e agresionit rus në Ukrainë, ai tha se ky propozim jep shenja që Kina është përfshirë në kërkimin për paqe.

“Unë në të vërtetë besoj se Kina nuk do të dërgojë armë në Rusi”, tha ai.

Plani i Kinës thërret për bisedime paqësore dhe respektim për sovranitet kombëtar, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.

Megjithatë, dokumenti 12-pikësh nuk thotë specifikisht që Rusia duhet të tërheq trupat e saj nga Ukraina dhe gjithashtu dënon përdorimin e “sanksioneve unilaterale”, që shihet si kritikë e hapur e aleatëve të Ukrainës në Perëndim.

Autoritetet kineze nuk janë përgjigjur deri tash publikisht për thirrjen e Zelenskyt për një takim me Jinping.

Ndërkohë, Rusia pranoi propozimet kineze për paqe. “Ne i ndajmë të njëjtat pikëpamje me Pekinin”, deklaroi ministria e jashtme në Moskë.

Në fillim të javës, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Pekini po shqyrton furnimizim me armë dhe municion të Rusisë, një deklaratë që u dënua ashpër nga Pekini. Të premten, përsëri mediat amerikane raportuan se qeveria kineze po konsideron dërgimin e dronëve dhe predhave artilerie në Moskë.

I pyteur për planin kinez, presidenti amerikan Joe Biden tha për ABC News të premten: “Putin po e aplaudon këtë, atëherë pse duhet të jetë plan i mirë? Nuk kam parë asgjë në plan që mund të japë diçka të dobishme për ndokënd sesa për Rusinë”, tha Biden.

Propozimet kineze u dhanë pas vizitës së kryediplomatit kinez Wang Yi në Moskë, ku u takua me presidentin Putin dhe ministrin e jashtëm, Sergei Lavrov të mërkurën.

Pas bisedimeve, Wang u citua nga agjencia shtetërore kineze e lajmeve “Xinhua” duke thënë se Pekini ka dëshirë ‘të thellojë besimin politik dhe të fuqizojë koordinimin strategjik’ me Moskën.

Të ngjashme