Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kërkoi të bënte një vizitë solidariteti në vazhdën e sulmit të Hamasit në Izrael, por iu tha se “koha nuk është e duhur”, raportojnë mediat në gjuhën hebraike, shkruan The Times of Israel.
Zelensky i doli në mbrojtje Izraelit pas sulmit, duke thënë se vendi kishte një të drejtë të padiskutueshme për t’u mbrojtur nga sulmet nga terroristët e Hamasit.
“Terrori është gjithmonë një krim, jo vetëm kundër një vendi apo viktimave specifike, por kundër njerëzimit në tërësi”, tha ai.
“Bota duhet të qëndrojë e bashkuar… në mënyrë që terrori të mos tentojë të marrë apo shkatërrojë jetën kudo dhe në asnjë moment”, tha Zelensky.
Izraeli ka shprehur vazhdimisht mbështetje për Ukrainën që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka ofruar ndihmë ushtarake, duke shkaktuar tensione diplomatike midis Kievit dhe Jerusalemit.