Lajme
Zelensky citon Churchillin: Do të luftojmë në pyje, fusha, brigje dhe rrugë
Demokracia
22:57 | 08 Mars 2022

Share:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka cituar Winston Churchillin në një fjalim historik para ligjvënësve britanikë, duke thënë se Ukraina do të luftojë Rusinë “në pyje, fusha, brigje dhe rrugë”. Zelensky iu drejtua Dhomës së Ulët të Parlamentit Britanik përmes një videolidhje, transmeton Demokracia.com.

Ai i kërkoi ndihmë Britanisë së Madhe dhe përsëriti kërkesën, të cilën e përsërit prej ditësh, që të ndalohen fluturimet mbi qiellin e Ukrainës. Ai citoi gjithashtu William Shakespeare, duke thënë “çështja me të cilën përballet Ukraina këto ditë është të jesh apo të mos jesh”.

Në një moment në fjalimin e tij, Zelensky i bëri thirrje Boris Johnson dhe udhëheqësve perëndimorë që të vendosin sanksione të mëtejshme.

“Ju lutemi rritni presionin e sanksioneve kundër Rusisë. Dhe ju lutemi njihni Rusinë si një shtet terrorist. Dhe ju lutemi sigurohuni që qiejt tanë të jenë të sigurt”, tha ai.

“Ju lutemi sigurohuni që të bëni atë që duhet bërë dhe atë që i përshtatet madhësisë së vendit tuaj britanik”, shtoi ai.

Në pjesën e dytë të fjalimit të tij, Zelensky iu referua rrethimit rus të qytetit të Mariupolit në bregun jugor të Ukrainës, duke thënë se qyteti ka qenë pa ujë dhe ushqim për ditë të tëra. Ai shtoi se në konflikt u vranë më shumë se 50 fëmijë.

“Këta janë fëmijë që mund të kishin jetuar, por këta njerëz na i morën”, ka thënë ai.

Asnjëherë më parë, në të gjithë shekujt e demokracisë parlamentare, Dhoma nuk ka dëgjuar një fjalim të tillë.

Në kryeqytetin e madh evropian, i cili tani është brenda rrezes së sulmit rus, sipas kryeministrit britanik, presidenti Volodymyr Zelensky qëndron fort për demokracinë dhe lirinë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme