Lajme
Zelensky akuzon Rusinë se po mashtron përsëri
Demokracia
21:32 | 29 Maj 2025

Share:

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të enjten se Rusia është angazhuar përsëri “në mashtrim”, pasi ka dështuar që ta dorëzojë memorandumin e paqes para takimit të mundshëm ndërmjet Moskës dhe Kievit, ka raportuar Reuters.

“Edhe i ashtuquajtuari ‘memorandum’, të cilin ata e premtuan dhe siç po shihet e kanë përgatitur për më shumë se një javë nuk është parë akoma nga askush”, ka deklaruar Zelensky gjatë adresimit të tij të përnatshëm. “Ukraina nuk e ka marrë atë. As partnerët tanë s’e kanë marrë. As Turqia, e cila organizoi takimin e parë, ende s’e ka pranuar agjendën e re”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pati thënë të mërkurën se Moska ka përpiluar një memorandum, i cili ngërthen pozicionin e Rusisë ndaj marrëveshjes që mund ta zgjidhë konfliktin trevjeçar në Ukrainë.

Ai kishte sugjeruar po ashtu që raundi i dytë i bisedimeve të mbahet të hënën e javës së ardhshme, përsëri në qytetin turk të Stambollit.

E presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka mbajtur raporte të mira me të dyja palët, është shprehur se ftesa e Rusisë për mbajtjen e bisedimeve të reja, ka rritur shpresat e Ankarasë zyrtare për paqe.

Të ngjashme