Lajme
Zelensky akuzon Putinin se po imiton Hitlerin
Demokracia
18:25 | 08 Maj 2022

Share:

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po zbaton të njëjtën filozofi e brutalitet që zbatoi nazizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në një fjalim përkujtues të fundit të Luftës së Dytë Botërore, ai tha se ushtria ruse po përsëriste krimet e nazistëve në vendin e tij.

“Errësira është rikthyer në Ukrainë, që është veshur sërish bardh e zi”, tha ai në mesazhin e përcjellë përmes një videoje bardhezi.

Në video, Zelensky shfaqet para ndërtesave rezidenciale të shkatërruara nga lufta.

“E keqja është rikthyer me një uniform tjetër, me slogante të tjera, por për të njëjtin qëllim”, shtoi ai.

Videoja përmban pamje nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga lufta aktuale e trupave ruse pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt, në atë që Moska e quan “operacion denazifikimi”.

Zelensky u bëri thirrje vendeve europiane që të kujtojnë bombardimet naziste të vendeve të tyre për të kuptuar se në çfarë situate janë qytetarët ukrainas në zonat urbane.

Më vonë, Zelensky pritet që t’i bashkohet diskutimeve me grupin G7, përfshirë këtu Presidentin Joe Biden dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson e Presidentin francez, Emmanuel Macron.

Takimi i G7 do të ketë temë kryesore Ukrainën dhe mundësinë e sanksioneve të tjera për Rusinë. Ai është thirrur një ditë para paradës së 9 majit, që Moska organizon duke treguar fuqinë ushtarake në Sheshin e Kuq, ku pritet me interes fjalimi i Vladimir Putinit.

 

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024