Intervista
Zeka: Moszbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi, pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte
Demokracia
08:54 | 05 Qershor 2024

Share:

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka, konsideroi se pa normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrjedhimisht, implementimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të dialogut nën ndërjmetësimin e Bashkimit Evropian (BE), nuk mund të ketë investime të huaja direkte apo financime të reja të donatorëve në Kosovë.

Në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Ekonomia Online” të mërkurën, kreu i OEAK-ut theksoi se zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë vënë në pikëpyetje seriozitetin e Qeverisë së Kosovës për sa i përket ruajtjes së raporteve për shkak të moszbatimit të zotimeve të cilat Qeveria e Kosovës i ka marrë përsipër në kuadër të dialogut.

“Kosova momentalisht u nënshtrohet sanksioneve ose masave ndëshkimore. Në disa shkresa, ose paraqitje, ose deklarata të zyrtarëve të lartë të SHBA-së është vënë në pikëpyetje serioziteti i Qeverisë së Kosovës për sa i përket ruajtjes së raporteve të veçanta dhe krejt kjo vjen për shkak të moszbatimit të zotimeve të cilat qeveria i ka marrë para ndërkombëtarëve”.

“OEAK ka bërë me dije që pa arritjen e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ose edhe një normalizimi ekonomik, vendi nuk mund të flas për tërheqjen e investimeve serioze të huaja… Ky është mëkati më i madh që i bëhet përpjekjeve tona për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë”, potencoi Zeka, derisa përmendi edhe masat e BE-së ndaj Kosovës.

Ai kujtoi se nga masat e vendosura  në qershor të vitit të kaluar, vendi ka humbur qindra miliona euro investime dhe është në rrezik të humbë qindra mijëra euro të tjera që mund t’i përfitojë nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanit Perëndimor, kryesisht për shkak se qeveria nuk është duke mbajtur fjalën e dhënë, posaçërisht sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd.

Të ngjashme