Lajme
Zëdhënësi i Vetëvendosjes merret me punët e shtetit, tregon më shumë se Kurti çfarë ndodhi në Bruksel
Demokracia
19:21 | 21 Nëntor 2022

Share:

Qeveria e Kosovës ende nuk ka shpalosur hollësi më shumë për takimet e sotme 8-orëshe të kryeministrit Kurti në Bruksel.

As zëdhënësit e Kurtit në Qeveri nuk kanë dhënë detaje, përveç atyre që kryeministri i kishte thënë para gazetarëve në Bruksel, shkruan Demokracia.com.

Por, nga partia-shtet, detaje për dialogun dhe qëndrimet shtetërore të kryeministrit Kurti ka dhënë hiç më pak se zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, i cili nuk ka kurrfarë roli në Qeverinë e Kosovës.

Manxhuka ka provuar të merret me “punë të mëdha” dhe ka treguar se Serbia ka refuzuar propozimin për deklaratë të përbashkët, që kishte zotimin që të trajtohet me urgjencë propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, mbështetur nga Gjermania, Franca dhe ShBA.

Sipas Manxhukës, ka qenë afër dakordimi që Kosova të pezullonte fazën e gjobitjes, derisa ka treguar edhe arsyen pse s’është arritur kjo.

Postimi i plotë i zëdhënësit të Vetëvendosjes:

1. Serbia ka refuzuar propozimin për deklaratë të përbashkët që në paragrafin e I-rë kishte zotimin që të trajtohet me urgjencë propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes RKS-SRB, mbështetur nga Gjermania, Franca dhe ShBA. Pra, Serbia ka refuzuar propozimin e BE-së.

2. Ishte afër dakordimi që Kosova të pezullonte fazën e gjobitjes për të vazhduar vetëm me qortime teksa Serbia të heqte dorë nga tabelat me denominimet e qyteteve të Kosovës, mirëpo për Kosovën ka qenë e papranueshme që kjo të mos shoqërohet edhe me qëllimin e takimit që ishte angazhimi me urgjencë për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Madje, në vet propozimin e BE-së ishte i caktuar edhe afati për këtë marrëveshje që është marsi 2023. Në fund vet ndërmjetësuesi që kishte sjellë këtë propozim hoqi dorë nga ai.

Serbia është e interesuar që Kosova të heq dorë nga e drejta e vet, por jo në normalizim të marrëdhënieve, dhe për këtë e ka refuzuar planin e BE-së dhe nuk ka dashur që ai plan të përfshihet në ndonjë pikë.

Të ngjashme