Lajme
Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton mungesën e takimit Kurti-Blinken: Ne s’jemi urgjencë e sigurisë
Demokracia
22:05 | 21 Shkurt 2023

Share:

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka arsyetuar mungesën e takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Sipas tij, Kosova nuk paraqet urgjencë të sigurisë, dhe meqenëse në Konferencën e Mynihut diskutohet për sigurinë, një takim i tillë nuk u realizua.

“Konferenca ka qenë ku temë qëndrore ishte siguria, ishte mundësi e mirë që liderë të takohen me njëri-tjetrin, të trajtojnë çështje të sigurisë. Unë mendoj që Kosova nuk paraqet urgjencë të sigurisë. Nëse dikush paraqet urgjencë të sigurisë, është Serbia, mbase edhe për atë janë takuar.” – ka thënë ai.

Ai ka dhënë edhe një shpjegim rreth takimeve që mbajti Blinken.

“Më lejoni të ndaj me juve llojllojshmërinë e takimeve të Blinken me aq sa unë kam parë, ka takuar presidentin e Azerbajxhanit dhe kryeministrin e Armenisë, ku çështje kryesore ka qenë konflikti mes këtyre dy vendeve, ka takuar ministrin e Jashtëm të Ukrainës, ka takuar diplomatin e Kinës, ku ka marrëdhënie të tensionuara, rrëzimin e atij balonit të dyshuar për spiunazh, ka takuar Japonin dhe Korenë e Veriut. Ka takuar ministra të G7, ka takuar kryeministrin e Irakut, dhe presidentin e Moldavisë, çështje kryesore, rreziku nga lufta.” – ka thënë ai në Tëvë1.

Në fund, ai shtoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke e konsideruar këtë si arsye të takimit.

“I vetmi vend në Ballkan që e ka takuar, është Vuçiqi, që nuk i ka vendosur sanksione. Mbështetësi më i madh i Ukrainës është Amerika, andaj mendoj që kjo është arsyeja pse një takim i tillë është konsideruar.” – tha ai.

Të ngjashme