Lajme
Zëdhënësi i partisë në pushtet në rolin e ‘pleqnarit’, siguron popullin se Kurti e Konjufca janë bashkë përgjithmonë
Demokracia
20:09 | 16 Shtator 2022

Share:

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka publikuar një fotografi ku shihet mes dy “kokave” të partisë, Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës.

Kjo ‘ndërhyrje’ e Manxhukës vjen pas raportimeve për një përplasje të mundshme mes kryeministrit dhe kryekuvendarit në seancën e sezonit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i LVV-së e ka përshkruar shkurtër fotografinë e publikuar, por me mesazh të prerë se asgjë s’ka ndryshuar mes tyre.

“Bashkë, dje, sot dhe përgjithmonë”, ka shkruar ai, duke krijuar përshtypjen se mund ta ketë luajtur rolin e ndërmjetësuesit për t’i mbajtur bashkë dy kokat e partisë.

Në seancën e së enjtes, Kurti u duk i tensionuar me Konjufcën derisa zhvillonte një komunikim me të.

Disa nga deputetët e opozitës që ishin prezentë në seancë thanë se kishte një tension mes tyre, megjithatë ata të Vetëvendosjes e mohuan këtë gjë.

Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, tha se Kurti komunikon theksueshëm me gjestikulacione, prandaj mund të jetë krijuar ideja e gabuar se ata janë përplasur gjatë seancës së fundit në Kuvend. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme