Sport
Zëdhënësi i Federatës së Maqedonisë tërheq vërejtjen: Politika larg FFK-së, FIFA mund t’ju përjashtojë
Demokracia
16:57 | 17 Mars 2022

Share:

Situata e fundit e krijuar në Federatën e Futbollit të Kosovës, ka zgjuar vëmendje të madhe të opinionit të Kosovë, madje duke kaluar edhe kufij.

Procesi zgjedhor në FFK më vëmendje po përcillet në Shqipëri e Maqedoni, sidomos pas situatës shumë të nxehtë të krijuar së fundmi, shkruan Demokracia.com.

Kryetari aktual Agim Ademi, po pretendon se po sulmohet shumë madje edhe nga politika, derisa opozita po bën thirrje nga institucionet të ndërhyjnë dhe ta largojnë Ademin nga ky post.

Kjo situatë duket shumë e tensionuar madje deri në atë masë sa mund të ndërhyje edhe UEFA e FIFA pasi pretendohet se ka edhe ndërhyrje nga politika. Vërejtjen e ka tërhequr edhe zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Faton Zylbehari i cili ka kërkuar nga Politika e Kosovës t’i mbajë larg duart nga Federata.

Ai në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se fatkeqësisht politika po ndërhynë kur po është koha e zgjedhjeve si në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, gjë e cila sipas tij është shumë e rrezikshme pasi mund ta qojë në përjashtimin e FFK-së nga UEFA e FIFA.

“Fatkeqësisht përzierja e politikës po shndërrohet në një fenomen të keq. Një fenomen që po e njollos, jo vetëm futbollin, por edhe procesin demokratik të zgjedhjes, qoftë të presidentit apo edhe Komitetit Ekzekutiv. Interesante është se ajo që po ndodh në Kosovë dhe ajo që ka ndodhur në Shqipëri për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është diçka e njohur, sepse ne e kaluam këtë gjë një vit me parë”, ka thënë Zylbehari duke shtuar.

“Viti i kaluar ishte faktikisht asambleja zgjedhore dhe këtë vit ishte asambleja e rregullt, ku normalisht në kushte kur nuk ke ndonjë votim, nuk është gjithçka qetë, por ne e kaluam vitin e kaluar. Ne po e mendonim se ishte çështja se ishte hera e parë që kishim një president shqiptar në Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe pretendonim se ky ishte problemi. Mendonim se ju pengonte. Por kur e shohim se çfarë ndodhi në Shqipëri dhe kjo që po ndodh tani në Kosovë e kuptojmë se këtu politika nuk zgjedh mjete për të kapur institucionet. Mos të bëhemi injorant të themi se nuk ka asnjëherë përzierje që politika të mos ketë dorë në sport, konkretisht në futboll. Mirëpo, mënyra se si provohet të bëhet në Shqipëri, Kosovë apo edhe në Maqedoni të Veriut është e palejueshme”, ka vlerësuar Zyblehari.

Sipas tij ndaj kësaj situatë nuk do të qëndrojë duarkryq FIFA, ajo nuk kishte qëndruar as ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë kur u kishte dërguar mesazh të qartë se “nëse doni të luani në Evropë, politika duhet të largohet nga sporti”.

“Është shumë e qartë. FIFA dhe UEFA nuk lejojnë. Nga UEFA erdhi mesazhi tek ne shumë i qartë dhe i shkurt. “Doni të luani në Kampionat Evropian apo jo”. Politika e kuptoi këtë sepse ishte ultimatum dhe nuk kishin zgjidhje tjetër. Politika u tërhoq dhe Muamed Sejdini mori mandat të ri dhe vijon deri në vitin 2025 mandatin aktual”

“Ne e dimë që politika tek ne, tek ju dhe në Shqipëri kontrollon pjesën më të madhe të institucioneve dhe përmes kësaj mënyre kërkojnë të futen edhe në futboll. Unë duke qenë brenda futbollit e di shumë qartë se ka mënyra se si instalohen njerëz këtu në çdo fushëveprim, mirëpo jo kështu përmes përzierjes direkte, sepse diçka eventuale e tillë do të dëmtonte jo vetëm imazhin e futbollit, por edhe mbarëvajtjen. Në momentin që UEFA shikon se ka përzierje të politikës mund të ketë pasoja serioze për të cilat secili duhet të jep llogari. Procesi zgjedhor duhet të jetë demokratik. Secili të votojë. Dihen rregullat. Dihen kushtet për të konkuruar. Vullneti i lirë, pa shantazhe, pa kërcënime. Delegatët le ta zgjedhin kryetarin. Por, kushdo që zgjidhet, jam unë, je ti apo ai që ka konkuruar nuk ka lidhje. Të ketë një ide të qartë për të kontribuuar për të mirën e futbollit dhe të ecim përpara bashkë, posaçërisht kur tash jemi për herë të parë në histori një shembull unik se Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut të prezantohemi në UEFA dhe FIFA me tre anëtarë”, ka përfunduar Zyblebahi. /Demokracia.com

Të ngjashme