Matt Miller, zëdhënësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Kosova dhe Serbia është e rëndësishme që të kthehen sërish në dialog, derisa nuk e ka komentuar kërkesën e presidentit serb Aleksandar vuçiq drejtuar QUINT-it që “KFOR-i ta marrë kontrollin në veri të Kosovës”.
Gjatë një konference për shtyp sot, mediumi i udhëhequr nga një gazetare serbe, The Pavlovic Today i bëri një pyetje zëdhënësit të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në lidhje me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara nëse KFOR-i do të marrë një rol më thelbësor në veri.
Si përgjigje, Matt Miller, zëdhënësi i Sekretarit Blinken, tha vetëm se të dyja palët duhet të punojnë në koordinim me partnerët ndërkombëtar për të de-përshkallëzuar situatën.
“Unë mendoj se në lidhje me këtë do të them se ajo që ne mendojmë se është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Matt Miller, zëdhënës i Sekretarit Blinken.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka takuar të martën ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Pas takimit, ai ka thënë se “sot se në një nga momentet më të vështira për Serbinë”, ka pasur një bisedë të rëndësishme me përfaqësuesit e QUINT-it dhe se ka kërkuar që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës.
“Përsërita qëndrimin e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Metohi dhe kërkova që KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të “policisë së Kurtit”. Gjithashtu kam parashtruar pyetje se pse EULEX-i “ishte refuzuar” nga Policia e Kosovës të marrë pjesë në operacionin që është realizuar në territorin e veriut të Kosovës”, ka pretenduar Vuçiq në Instagram, por pa përmendur se cilat ishin përgjigjet dhe kërkesat e palës tjetër.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka dënuar ashpër sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri të dielën.