Lajme
Zbulohet për herë të parë një sëmundje e rrallë që përhapet nga macet
Demokracia
19:15 | 07 Mars 2023

Share:

Një sëmundje e rrallë infektive, e cila zakonisht shkakton flluska të pakëndshme të lëkurës te njerëzit, është zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar. Dyshohet se është përhapur nga e njëjta mace.

Fenomeni është mjaft i rrallë për t’u ndalur në të. Një sëmundje e lëkurës, e transmetuar nga macet, është zbuluar për herë të parë në Britani, një infeksion i quajtur sporotrichosis brasiliensis i cili nuk është parë kurrë deri më tani jashtë Amerikës së Jugut. Në total, siç transmetohet nga Daily mail, viktima kanë mbetur tre britanikë, një nënë, vajza e saj dhe veterineri i tyre. Të gërvishtur nga e njëjta mace, ata pësuan plagë dhe ulçera në duar, kyçe dhe krahë.

Konkretisht, simptomat fillojnë me lezione ose plagë pranë pjesës së trupit të ekspozuar ndaj kërpudhave. Infeksioni, zakonisht i butë, mund të prekë edhe sytë, mushkëritë, kockat dhe kyçet. Në raste të rralla mund të ndikojë në sistemin nervor qendror.

Fatmirësisht tre viktimat janë shëruar plotësisht. Ata u trajtuan me itrakonazol për disa muaj, një ilaç për trajtimin e infeksioneve mykotike. Sipas shkencëtarëve, kafsha përgjegjëse për këtë infeksion të trefishtë, e cila më pas ka ngordhur, ishte shpëtuar nga familja në Brazilin juglindor. Ata e kishin sjellë me vete në Britaninë e Madhe kur u shpërngulën. Nuk e specifikuan racën.

Nëse këto infeksione mbeten relativisht të rralla, ato mund të rriten ndjeshëm në vitet në vijim. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ato po bëhen një “kërcënim i madh” për shëndetin publik pasi ndryshimet klimatike i bëjnë mjediset më të favorshme për zhvillimin e tyre.

Sporotrikoza transmetohet vetëm nga pickimi ose gërvishtja nga një mace e infektuar. Nuk është regjistruar asnjë rast i transmetimit nga njeriu te njeriu. E njohur si një epidemi zoonotike (transmetim nga macet te njerëzit) dhe e konsideruar si një kërcënim për shëndetin publik në Brazil që nga vitet 1990, ajo është përhapur që atëherë në vende të tjera të Amerikës së Jugut, si Argjentina dhe Paraguaj.

Të ngjashme