Lajme
Zbulohet edhe një laborator drogë në veri të Mitrovicës, konfiskohen mbi 30 kilogramë marihuanë, arrestohen dy serbë
Demokracia
21:42 | 25 Shkurt 2022

Share:

Policia e Kosovës ka zbuluar edhe një laborator droge në veri të Mitrovicës, ku gjatë këtij aksioni ka konfiskuar mbi 30 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë, raporton Demokracia.com.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aksionin e Policisë në veri të Mitrovicës e ka quajtur si një sukses të radhës të policisë.

“Gjatë aksionit të Policisë së Kosovës zbulohet edhe një laborator droge në veriun e Mitrovicës dhe mbi 30 kg lëndë narkotike marihuanë teksa dy të dyshuar shtetas të Kosovës me etni serbe janë arrestuar”, ka shkruar Sveçla në një postim në rrjetin social Facebook.

Tutje ai ka bërë të ditur se “ky është aksioni i dytë i suksesshëm i Policisë në veriun e vendit vetëm brenda kësaj jave pas atij për bllokimin e rrugëve të kontrabandës”.

“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë kriminalitetin në çdo cep të Republikës do të vazhdojmë pa pushim, pa kompromis. Vendi ynë do të bëhet vend i qetë dhe i sigurt për gjithë qytetarët e saj”, ka shkruar ai.

Të ngjashme