Real Madridi dhe Carlo Ancelotti do të ndajnë rrugët në fund të sezonit, përveç ndonjë befasie të madhe në verë.
Italiani është vënë në pikëpyetje gjatë tërë vitit nga mediat, por presidenti Florentino Perez e mbajti besimin se ai do ta përmbysë situatën, deri në muajin e fundit.
Ancelotti raportohet se ishte në rrezik serioz në nëntor pas humbjeve të njëpasnjëshme ndaj Barcelonës dhe Milanit, por pasi mposhti Gironan lehtësisht, atij iu dha mbështetja për të vazhduar për pjesën e mbetur të sezonit.
Megjithatë, paraqitjet e Real Madridit në Evropë peshojnë shumë dhe këto kanë thyer besimin e Perezit.
Pas dy përballjeve të ngushta me Atletico Madridin, ekip të cilin e mposhtën në penallti, Real Madridi udhëtoi në Londër për t’u përballur me Arsenalin në çerekfinale.
‘Los Blancos’ u mposhtën me rezultat 3-0 në ‘Emirates’ ndërsa humbje pësuan edhe në ndeshjen e kthimit në ‘Santiago Bernabeu’ me rezultat 2-1.
Cadena SER ka raportuar se kjo ishte pika e thyerjes në raportin mes klubit dhe trajnerit, pasi aty drejtuesit e humbën besimin në aftësinë e tij për ta përmbysur situatën e krijuar.
Edhe pse ka pasur disa pakënaqësi për mënyrën se si ai e trajtoi interesimin e Brazilit, trajneri ishte në dijeni se Real Madridi ka kontaktuar trajnerë të tjerë disa javë më herët dhe nuk e deshën atë për sezonin e ardhshëm.