Liverpooli ishte shtëpi e një atmosfere festive të dielën në ‘Anfield’, stadium i cili u mbulua me të kuqe, por para ndeshjes disa flakadanë me ngjyrë të kaltër e ndërprenë një pamje të pabesueshme të dhuruar nga tifozët e gjigantit anglez.
Gjithçka që Liverpooli duhej të bënte në duelin ndaj Tottenhamit ishte që të evitonte humbjen, për t’u shpallur në fund kampion për herë të parë pas pesë vitesh.
Tifozët nuk patën dyshime dhe e vërshuan stadiumin për të përshendetur ekipin dhe trajnerin para ndeshjes.
Virgil Van Dijk kërkoi para ndeshjes një ‘Anfield’ ku mbizotëron vetëm ngjyra e kuqe dhe tifozët ia pltoësuan këtë kërkesë.
Një ‘det’ me fanella të kuqe e përshëndeti ekipin jashtë stadiumit me një atmosferë festive që tashmë kishte orë që kishte filluar.
Sidoqoftë, në mesin e festës u panë disa flakadanë me ngjyrë të kaltër. Kur autobusi i Liverpoolit arriti, pamjet kapën disa flakadanë me ngjyrë të kaltër në ajër.
Dhe tashmë ka një teori se pse ndodhi kjo, pas një postimi në rrjetet sociale që u bë viral.
Duket se dikush kishte ndërruar etiketat në mënyrë që të tentojë të prishë festën në ‘Anfield’.
Një përdorues i rrjetit social X, ka pretenduar se përgjegjës për këtë situatë të krijuar ka qenë një mik i tij.
“Miku im sapo më ka dërguar një mesazh mua. Ai ka blerë 10 mijë flakadanë të kaltër dhe kaloi katër javët e fundit duke ua hequr etiketat e kaltra dhe duke i vendosur ato të kuqet në to”, ka shkruar ai.
Festa e Liverpoolit vazhdoi dhe ky rast nuk është se ndikoi shumë tek tifozët, megjithatë, ata kanë të drejtë të irritohen duke marr parasysh rivalitetin me Evertonin.