Arte
Zbulohen prapaskenat e dështimit të konkursit për Drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës
Demokracia
09:08 | 09 Dhjetor 2021

Share:

Janë bërë dy vjet që kur Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbetur pa shef. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit prej kohësh po e zvarrit zgjedhjen e një drejtori të ri, duke anuluar konkurset që po shpall, siç ka bërë edhe dje. Syri.net Kosova sjell më poshtë versionin e kësaj ministrie rreth kësaj çështje si dhe nxjerr në pah punën e vështirë që u krijua nga ky kolaps.

Të gjithë konkurrentët që aplikuan për t’u bërë drejtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sot kanë marrë një lajm jo të mirë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka marrë vendim që konkursi që u hap për këtë pozitë, të anulohet. Po kjo ministri, nuk dha ndonjë arsye se çka çoi në një anulim të tillë.

Të kontaktuar nga Syri.net Kosova, MKRS-ja tha se arsyeja e anulimit të konkursit ka qenë, sepse, vetëm dy prej kandidatëve i kanë plotësuar kriteret e përgjithshme, ndërsa, sipas Udhëzimit Administrativ NR 07/2017, konkursi duhet të anulohet nëse kriteret e parapara nuk i plotësojnë tre kandidatë.

“Pas përfundimit të fazës së aplikimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, bazuar në Ligjin Nr 06/ L-114 për Zyrtarët Publik neni 67 dhe 68, pika 3.1 dhe 4, Njësia e Burimeve Njerëzore ka bërë verifikimin paraprak të kandidatëve, nëse kandidatët i plotësojnë kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme, sipas shpalljes së konkurrimit.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit të aplikantëve vetëm dy kandidatë i kanë plotësuar kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme të konkursit, andaj bazuar  në Udhëzimin Administrativ NR 07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik në Nenin 6, pika 5 dhe pika 5.1 theksohet se konkursi duhet të anulohet nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kriteret sipas konkursit të shpallur, mbi këtë bazë konkursi është anuluar dhe pritet të rishpallet” thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Të pyetur se kur do ketë konkurs për herën tjetër, për Syrin, divizioni për Komunikim Publik nga kjo ministri thanë se janë duke punuar në një drejtim të tillë. “Jemi duke e përgatitur konkursin për ta shpallur në afat sa më të afërt, në momentin që marrim aprovimin për rishpallje” është përgjigja e tyre.

I mllefosur moszgjidhjen e udhëheqësisë së Teatrit Kombëtar përgjithësi, është edhe regjisori e aktori kosovar, Sokol Plakolli.

Ndonëse ai nuk konkurroi për drejtor të përgjithshëm të këtij teatri, por, për Udhëheqës Artistik, në një prononcim për Syri.net Kosova ai tha se është i shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhet teatri sot e kaq kohë.

“Unë nuk jam pjesë e konkursit për drejtor të Teatrit Kombëtar, por, jam pjesë e konkursit për Udhëheqës Artistik të tij. Edhe pse s’po flasim të për njëjtin konkurs, unë jam pjesë e komunitetit artistik dhe në fakt jam i shqetësuar për gjendjen që është krijuar në teatër. Ky rast, është rast për studim, prej 2019 jam duke konkurruar për këshill, rezultati gjithmonë është ose me vjedhje të pikëve, ose me zgjedhje e më pas anulim të konkursit.

Unë kam dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit një kallëzim penal pikërisht për këtë punë, sepse, kam evidentuar 7 parregullsi, të cilat i kam paraqitur në kallëzim. Po ashtu, mund të them se jam i indinjuar edhe me kolegët e mirë, për mospërfilljen e padrejtësive që po bëhen në teatër prej vitesh” tha Plakolli.

I pyetur se a ka pritur ndryshim nga Qeveria Kurti, saktësisht ministri Çeku në lidhje me këtë pjesë, ai tha se problemi daton prej qeverive tjera, por, ka shpresuar që me ardhjen e ministrit të ri do zgjedhën këto çështje, por, gjërat vetëm po shkojnë duke u keqësuar.

Kujtojmë se ka vite që Teatri Kombëtar ka mbetur pa një drejtor të përgjishëm, pasi, deri më tani, drejtohet nga ushtruesi i detyrës, Naser Shatrolli.

Të ngjashme