Lajme
Zbulohen detaje se si e mori vendimin Trumpi për ta shkarkuar Waltzin
Demokracia
16:09 | 02 Maj 2025

Share:

Tashmë ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, Mike Waltz, është bërë “viktima” e parë e administratës së tij të dytë.

Sipas Axios, prapa skenave shkarkimit ishte duke u përgatitur prej disa javësh.

Trump kishte disa arsye për ta larguar Waltzin, shkruan ky medium amerikan, por vendimtare ishte çështja e njohur si “Signalgate” – një skandal ku informacione konfidenciale dhe sekrete në lidhje me një sulm në Jemen janë shpërndarë përmes aplikacionit të pasigurt Signal.

Megjithatë, për Trumpin nuk ishte aq i rëndësishëm vetë skandali, sa fakti që nuk mund ta manipulonte situatën në favor të vet dhe nuk kishte mënyrë për t’u përgjigjur kritikëve.

Në fund, Waltz e pagoi çmimin dhe 78-vjeçari u udhëhoq nga fakti se pikërisht ai kishte shtuar gazetarin, Jeffrey Goldberg në një bisedë grupi, gjë që bëri që skandali të dalë në publik.

Arsye të tjera për vendimin e Trumpit ishin, ndër të tjera, se Waltz nuk përshtatej me pjesën tjetër të ekipit, dhe një bashkëpunëtor i Trumpit ka thënë se ai e konsideronte Waltzin si një “ogur i keq”.

Për shkak se Trump mendonte se “Waltz sillte fat të keq”, e fajësonte atë edhe për kritikat që kishte marrë pas vendosjes së tarifave doganore, edhe pse Waltz nuk kishte lidhje me atë vendim.

Axios gjithashtu shkruan se Trump kishte dashur ta shkarkonte Waltzin menjëherë pasi “Signalgate” doli në publik, por shefja e stafit në Shtëpinë e Bardhë, Susie Wiles, e kishte bindur që të mos e bënte, dhe më vonë i kishte sugjeruar që ta vendoste Waltzin në një pozitë të re, në vend që ta largonte plotësisht nga ekipi.

Të ngjashme